E Hënë, 2 Nëntor 2026

Kapitali njerëzor në Shqipëri, një fëmijë pritet të arrijë 63% të aftësive kur të rritet

Një fëmijë që lind sot në Shqipëri pritet të arrijë vetëm rreth 63% të potencialit të tij si i rritur.

Treguesi i kapitalit njerëzor ka pësuar rritje që nga viti 2010, kur u mat për herë të parë nga Banka Botërore, dhe u gjet në nivelet vetëm 54% të kapacitetit të përgjithshëm.

“Një fëmijë i lindur sot në momentin që bëhet adult do të shfrytëzojë vetëm 63% të potencialit të vet, edukimit, zhvillimit mendor, shoqëror, sportiv, shëndetësor kur të rritet. Pra, gjithë struktura dhe gjithë shoqëria jonë i nxjerr vetëm 63% të kapacitetit këtij individi. Ne këtë tregues duhet ta rrisim,” thotë eksperti Gavril Lasku.

Në vitin 2017 kjo vlerë arriti në 60% të kapacitetit ideal dhe vetëm një vit më pas në 65%. Sipas ekspertit, faktori i edukimit dhe sidomos ai universitar luan një rol kyç e të matshëm me shifra.

“Tashmë nuk duhet të jenë vetëm prodhues të edukimit, prodhues të teorive, por duhet të jenë më shumë prodhues të aftësive praktike, të mentalitetit sipërmarrës, të individëve që marrin përsipër risqe e që janë gati të përballojnë edhe pasigurinë dhe tregun e së ardhmes, të prodhojnë njerëz të cilët zhvillojnë teknologjinë, njerëz që ndërmarrin iniciativa të guximshme. Modeli i një universiteti të tillë është modeli i një universiteti sipërmarrës,” shprehet z. Lasku.

Në tërësinë e treguesit, megjithatë, një shkëputje të ndjeshme jep faktori gjinor. Nën të njëjtat kushte, vajzat në Shqipëri zhvillohen me kuota produktiviteti më të lartë, rreth 66%, përkundrejt 62% që zhvillohen djemtë.

Gazetare: Entela Komnino

/rtsh.al/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›