Kapiteni Lalado të operohet,mundtë jetë me Maltën
Pas tri javësh i dëmtuar, vjen një lajm shumë i keq për kapitenin e kombëtares, Altin Lala, të cilit tani do t'i duhet të qëndrojë me muaj larg fushave. "Do të operohem, në mënyrë që të riaftësohem sa më shpejt, sepse vetëm me terapi nuk mund t'ia dal dot,"- ka thënë i pezmatuar futbollisti në linjë telefonike nga Hanoveri. Dëmtimi në shtyllën kurrizore ose hernien diskale, siç thuhet në gjuhën mjekësore, e ka detyruar 32-vjeçarin t'i nënshtrohet operacionit, i cili do të kryhet sot nga një prej mjekëve më të mirë në Gjermani, sipas vetë Lalës. Kapiteni kuqezi nuk e ka pasur të thjeshtë për të marrë këtë vendim dhe bashkë me stafin mjekësor të Hanoverit, ka tentuar të provojë me anë të terapive, në mënyrë që t'i shmanget operacionit, por kjo nuk ka rezultuar me sukses. Për shkak se nuk ka pasur asnjë përmirësim, i detyruar, Lala i ka thënë "po" bisturisë, pas këshillimit me doktorët e Hanoverit. "Edhe pse në fillim u duk se mund t'i shmangesha operacionit, më pas çdo gjë u bë më e vështirë, pasi ndieja përsëri dhimbje në hernien diskale. Duke folur edhe me doktorët, ata më këshilluan që, nëse bëj operacion, riaftësimi do të jetë më i shpejtë. Pa operacion kjo mund të më bëhej kronike,"- sqaron kapiteni i kombëtares, që prej 10 vitesh aktivizohet në Bundesligë me Hanoverin. Ndërhyrjen kirurgjikale, 32-vjeçari e ka planifikuar ta bëjë sot në një klinikë të Hanoverit.
"Kam folur me doktorët dhe them që operacionin ta bëj nesër (sot) këtu në Hanover. Eshtë një klinikë e specializuar dhe ndërhyrjen do ta bëj një nga doktorët më të mirë të Gjermanisë. Ai quhet Volfgang Laksh dhe është nga Berlini, por klinikën e ka këtu në Hanover,"- tregon Altin Lala. Sipas mediave gjermane, doktori që do të operojë Lalën, e ka bërë një gjë të tillë në shtator të vitit 2007 me ish-futbollistin e famshëm gjerman, Jurgen Klinsman, që aktualisht është trajner i Bajernit të Mynihut.
I pyetur për kohën që do të qëndrojë larg fushave, mesfushori i kombëtares u shpreh: "Nga bisedat që kam bërë me doktorin, duhet të qëndroj 6 javë pushim absolut pas operacionit. Më pas më duhet të nis terapinë, por pa sforco." Më 11 shkurt, kombëtares i duhet të luajë ndeshjen e radhës eliminatore me Maltën në transfertë. A do të jetë Altin Lala në fushë? Një pyetje që kapiteni e ka shumë të vështirë t'i përgjigjet, por edhe pse është para operacionit, ai nuk mund të rrijë pa thënë diçka. "Pasi të kem hequr qafe operacionin, shpresoj që më pas të shkojë çdo gjë ashtu siç është parashikuar nga doktorët, por gjithsesi këtyre punëve nuk i dihet. Shpresoj të jem i gatshëm deri në ndeshjen me Maltën." Në fushë për herë të fundit ai ka qenë më 1 nëntor, kur Hanoveri fitoi 3-0 me Hamburgun dhe futbollisti shqiptar mbante shiritin e kapitenit për ekipin gjerman.