E Shtunë, 31 Tetor 2026

Unifikim i së majtës, pastaj ndarja e tortës

Ndryshe nga e djathta, e cila, si gjithmonë, në situata të tilla gjen mekanizmin e bashkimit të duarve dhe mendjeve, e majta prodhon ndarje e mëri të pakuptimta. Në kampin e majtë, “ushtarët” qëndrojnë diku të fshehur, e diku gati për “luftë”. U mbyll një grevë urie, aktorë të së cilës ishin 11 ligjvënës, pse jo “zjarrvënës” dhe nuk është çudi që të gjenerohet ndonjë tjetër ide çmendurie si kjo.

E majta zien nga mllefet e mola brenda saj me gërr-mërret e ditës, gërryen zemrën e një elektorati, i cili me zgjedhjet e vitit 2009, shpreson të shpëtojë nga “bollëku” e “lumturia” që ka krijuar njeriu i krizave dhe tragjedive, kryeministri aktual, Sali Berisha.

Po t’i shikosh ngjarjet e fundit, siç ishte miratimi i Kodit Zgjedhor, duket se partitë e vogla e kanë lënë mënjanë alergjinë ndaj dy partive më të mëdha dhe ndoshta po bëjnë përpjekje për të gjetur strehë në shtëpitë e tyre të vjetra. Ndryshe nga Berisha, i cili i riktheu me urdhër në gjirin e partisë mëmë franksionistët e tipit Pollo, tek e majta dalin hibride të tipit Koçi, të cilit i digjet zemra për PS-në e viteve 1991, (nënkupto për postet e humbura dhe mandatit që nuk do ta ketë më).

Sikur të mos mjaftonte “lufta” e LSI-së, e cila edhe pse është një derivat natyral i PS-së, vijon të kërkojë copën e madhe të një torte që ende nuk është prodhuar, edhe disa parti të vogla me origjinë e program të majtë, bëjnë presione e krijojnë strese tek elektorati.

Pyetja që bëhet në bisedat e ditës mes njerëzve të thjeshtë, apo edhe në takime me krerë të majtë është konstante: Do t’i fitojë apo jo e majta zgjedhjet parlamentare të vitit 2009?! Një pyetje që, në pamje të parë, duket naive, por në thelb përmban një të vërtetë që, gjithsesi, duhet marrë në konsideratë. Jo se nuk ka mesazhe optimizmi brenda PS-së dhe forcave të majta, por sepse mungon bashkimi i së majtës. Vetë PS-ja, në Asamblenë e fundit, pranoi si rrugë të vetme për fitore të garantuar, bashkimin dhe jo ndarjen, gjë që nuk duhet të mbetet një zë në shkretëtirë, por duhet shndërruar në një kor në gjithë Shqipërinë.

Personalisht, gjykoj se unifikimi i së majtës, gjetja e gjuhës dhe jo bashkimi artificial, është problemi që duhet të shqetësojë liderët e forcave politike, pasi problem i parë dhe i vetëm është fitorja e zgjedhjeve dhe jo ndarja e posteve, që ende nuk janë siguruar.

Është njësoj sikur të bëhet dasmë pa nuse dhe pa dhëndër. E, për të qenë më i saktë e më bindës, po sjell në memorie një fabul të njohur të dy gjahtarëve, të cilët nisur nga egoja e tyre, u zunë për lëkurën e ariut, edhe pse nuk e kishin vrarë akoma ariun. Fabula në fjalë është kjo: Dy gjahtarë u nisën me çifte në krah për të vrarë një ari në pyll. Rrugës, nisën të ziheshin me fjalë se kush do ta merrte e ta shiste lëkurën. Debati u bë i ashpër dhe, papritur e kujtuar, gjahtarët u ndodhën përballë ariut, i cili kishte dëgjuar gjithë bisedën. Njëri nga gjahtarët hipi në pemë e tjetri u kap nga ariu. “Thuaji shokut të zbresë!”, - i thotë ariu robit të tij. Këshilla e ariut ishte kjo: “Herë tjetër mos e shisni lëkurën pa më vrarë mua, se unë ua marrë lëkurën të dyve”!

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›