Teheran, me shpirtrat pa hixhab të Iranit
Ditar në kryeqytetin e Republikës Islamike, ku femrat, prej tre dekadash duhet të mbajnë zbuluar vetëm fytyrën, ku po shtohen zërat kundër hixhabit dhe ku rinia bën çdo përpjekje ta jetojë jetën, duke sfiduar ligjet e rrepta islamike, ku është e ndaluar të tregosh flokë, qafë, apo supe femrash, të shohësh “facebook”, “Youtube” dhe tabloide perëndimore. Ku nuk ka më gra si, ish-ministrja Prs, që u ekzekutua pasi nuk pranoi veshjen islamike, por miliona iranianë që, brenda mureve, ilegalisht jetojnë si kudo, ndërsa jashtë tyre, bëjnë fasadën e shtetit islamik.
Vjen Adii. Shumë pak të klithësh: E magjishme! Veshur me të zeza deri te gjunjët, nga vijojnë xhinset Levi’s 501 dhe këpucët Dolce & Gabanna. E bardhë vetëm fytyra rrëzëllitëse në formë kajsie. E shoqëruar me “binjaken” Samone Salari, përkthyesen e anglishtes, që më ndihmon të merrem vesh me folësit e gjuhës farsi në stendën e Shqipërisë, në panairin ndërkombëtar të Teheranit. Shoqe të ngushta, studente të anglishtes në universitetin e kryeqytetit të Iranit, 23-vjeçaret janë fytyra e së ardhmes sëRepublikës Islamike, ku prej rreth tri dekadash, gratë duhet të lënë të zbuluar vetëm fytyrën. Janë të bukura, ngulmuese dhe rebele.
Është prezantimi i parë me Samo dhe emri i saj në persisht do të thotë “qiell”. Jemi gati një metër larg. Vjen me nxitim punonjësi i Ministrisë së Kulturës, një 40-vjeçar me syze të trasha optike dhe çuçurit diçka te veshi i Samo, para se të largohet, po me nxitim. Ajo ul kokën dhe ngre shaminë e zezë, që i ka rrëshqitur pas koke, ndërsa komunikonte. Çfarë ka? Samo përgjigjet e zemëruar: “Më hoqi veshin pse më ra veli. Kushedi se çfarë do të më thonë më vonë”. Nuk e kuptoj, por kur hedh sytë rreth e rrotull, ftillohem: Ka vetëm fytyra femrash. Pak flokë sipër ballit, as veshë, as qafë, as gushë…jo më supe, forma gjoksesh, apo vithesh. Shall i mbyllur deri në kokth të fytit (rusari), shami me ngjyra (makhne), pëlhurë e zezë që të vesh kokë e këmbë (çador), apo pardesy e gjatë deri te gjunjët (mantu): Veshja që kopsit çdo pjesë tjetër të trupit, veç fytyrës dhe duarve (hixhab), është garderoba e detyrueshme për çdo femër në Republikën Islamike të Iranit, është lëkura e dytë. Nëse duan të veshin një pardesy që rri shumë pas trupit, duke treguar gjoksin apo vithet, duhet të jetë poshtë gjurit, nëse është pak e lirshme, mund të jetë katër gishta sipër gjurit, por gjithnjë me pantallona.
“Nuk duhet të jetë kështu”,- thotë e revoltuar Samo Salari. “Unë besoj te Islami, por askush nuk mund të më tregojë se çfarë duhet të bëj, apo të mos bëj”. Tri ditë më pas vjen përkthyesja tjetër. Emri i saj do të thotë “ëndërr”. Është 34-vjeçarja Roya Saadatmiser: “Ne duhet ta mbajmë këtë, por nuk është e drejtë”. Thotë se vetëm vitin e shkuar, policia e kodit të veshjes ka ndaluar nëpër stacione policie mbi 2.5 milionë njerëz. Shumica janë gjobitur, disa janë mbajtur me ditë dhe, më keq, kanë përfunduar nëpër burgje. Ajo simpatizon reformistët e Khatamit, ish-presidentit të mundur nga konservativët e Ahmadinexhad. “Po si ka mundësi që doni Khatamin dhe votoni Ahmadinexhadin?”. “Jo, unë jo, nuk kam votuar për Ahmadinexhadin”,-shpërthen Roya. Dhe çfarë do të bëni? Do të presim, do ta rrëzojmë paqësisht, jo më gjakderdhje”.
Në javën e tretë të nëntorit 2008, në Teheran temperatura është rreth 10 gradë, por në verë shkon edhe 43 gradë. Roya të bën të të shkojnë djersë të ftohta: “Është si ferri të jesh në 40 gradët e Teheranit me një veshje të tillë. Por nuk kemi ç’të bëjmë”.
Për meshkujt nuk ka ndonjë rregullore strikte, por në Teheranin 12 milionësh, ata që vënë kravatë janë të huaj, sepse ajo quhet shfaqje e simpatisë për ish-regjimin e Shahut dhe askush nuk dëshiron të deklarohet i tillë.
Naghmeh Hosseini na shoqëron në drekën te një restorant luksoz, ditën e fundit të panairit. Gra në moshë me nakhme me lule shumëngjyrëshe, kanë zaptuar ambientet. “Po këto pse duhen mbuluar, nga kush kanë frikë?”. 46-vjeçarja kafshon buzën dhe qesh me hidhërim: “Kurani nuk e thotë, por kështu e kanë vendosur”. Thotë se është në dorën e autoriteteve zyrtare dhe vetëm ata mund t’i shfuqizojnë ligjet që detyrojnë çdo femër, vendase apo e huaj, që të vendosë hixhabin në tokën e Iranit. Pastaj shpërthen: “E shihni kamerierin? Mund ta thoni ju nëse është Iranian, apo i huaj? Nuk mund ta dalloni dot, sepse ligjet këtu janë bërë vetëm kundër grave”.
Nina Nalevane e thotë me gojën plot se e urren hixhabin. “Më dhembin sytë kur i shoh këta njerëz vajza të vogla dhe gra të moshuara, të gjitha të mbuluara. Ajo jetoi 22 vjet në Los Anxheles dhe, prej vitesh, banon në një lagje të pasur të Teheranit. Ka pasaportë iraniane dhe amerikane dhe kur ndjehet thellë e trishtuar merr avionin për në SHBA. Në Iran mban shaminë me ngjyra të ndezura, por sapo hipën në avion, e heq për ta lënë kokën t’ia përkëdhelë era apo dielli. Është e mbajtur shumë, megjithëse thotë se i kaluar të 60-tat. “Kam emër rus dhe nganjëherë dua të ndjehem si e tillë”,- thotë e qeshur Nina.
Faeze Taheri, gazetare e agjencisë shtetërore të lajmeve IRNA kërkon intervistë. Mbuluar kokë e këmbë me pëlhurën e zezë. Habitet pse në Shqipëri, ku ka popullsi të besimit islam, nuk ndodh kështu dhe mbron vijën e Liderit Suprem, Ajotollah Khamenei. As që bëhet fjalë ta bindësh se jeta është e shkurtër dhe duhet jetuar, se perçja nuk mund të të bëjë kurrsesi njeri të devotshëm përpara zotit. Pyetja e fundit është: E papritura më e madhe në Teheran? Të intervistohem nga një gazetare e mbuluar”. Eshrat Hayegh është kryemenaxhere e kompleksit historiko-kulturor “Saad Abad”, ish-rezidenca e Shahut. “Gratë në Iran nuk kanë presion”, - thotë 45-vjeçarja e mbuluar kokë e këmbë me të zeza”- “Perë