E Diel, 1 Nëntor 2026

Kapitullon Greqia, kërkon ndihmën e FMN-së

Athina i dërgon letër FMN-së dhe BE-së. Program ekonomik i mbikëqyrur

Greqia kapitulloi dje përballë presionit nga tregjet dhe hodhi hapin vendimtar drejt ndihmës së jashtme për të shpëtuar nga falimenti, raporton “Financial Times”. Formalisht Greqia kërkoi “konsultime” me partnerët e vet mbi programin e ndihmës me vlerë 30 miliardë euro, shumë që mund të përdoret për të mbuluar nevojat e qeverisë greke për të paguar kreditorët e tjerë. Në një letër drejtuar Komisionit Europian, ministri i Financave të Greqisë, Jorgos Papakostantinou, tha se Athina dëshiron të diskutojë për një “program ekonomik shumëvjeçar me komisionin, Bankën Qendrore Europiane dhe Fondin Monetar Ndërkombëtar”. Ky lajm u dha fund javëve të tëra me spekulime mbi pyetjen nëse FMN-ja do të përfshihet drejtpërsëdrejti në shpëtimin e Greqisë. Vetë fondi nuk pati komentuar publikisht, duke pritur një kërkesë formale nga Athina.

Letra e djeshme pritet t’i hapë rrugë shpëtimit të parë nga falimenti të një vendi të eurozonës. Deri tani Greqia kishte shpresuar se vetëm premtimi për asistencë financiare do të mjaftonte për të ulur koston e vet të huamarrjes, e cila ka arritur tashmë në qiell. Por ndërsa Papakostantinou u kujdes të theksonte se Greqia nuk ka vendosur ende të kërkojë ndihmë, letra e tij për Brukselin duket se hap një proces që do të jetë shumë i vështirë të përfundojë ndryshe. Athina e publikoi letrën, ndërkohë që interesat e bondeve dhjetëvjeçare të këtij vendi arritën një rekord historik. Ato dje kushtonin 4.26 për qind më shumë se sa bondet me të njëjtin afat maturimi të qeverisë gjermane. Në letër, Greqia nuk dha sinjal të qartë se do të fillojë tërheqjen e ndihmës. Ekspertët besojnë se ndihma nga BE-ja dhe FMN-ja do të vijë me kushte të ashpra, përfshirë shkurtimin e numrit të punonjësve të administratës publike, si dhe reformën në sistemin e pensioneve.

“Programi mund të mbështetet nga ndihma financiare e vendeve të eurozonës dhe FMN-së, nëse autoritetet greke vendosin ta kërkojnë këtë ndihmë”, tha Papakostantinou. Por analistët në Athinë thanë se kërkesa për bisedime është e ngjashme me një “marrëveshje të arritur”.

“Rruga drejt mekanizmit të BE-së dhe FMN-së është tashmë e pakthyeshme, sepse përndryshe ne do të shohim presion të jashtëzakonshëm mbi interesat”, tha një ekonomist i lartë. Ekspertët u frikësuan gjithashtu se eurozona dhe FMN-ja mund të fillojnë një lloj lufte për mbajtjen e primatit në menaxhimin e shpëtimit të Greqisë. Shuma e ndihmës së premtuar prej 30 miliardë eurosh mund t’i mjaftojë Greqisë të mbulojë nevojat e veta për borxh për pjesën e mbetur të vitit.

Interesat për bondet dyvjeçare të Greqisë ranë dje në 6.34 për qind nga 6.66 për qind që qenë të enjten. Pak para lajmit të letrës, interesi i tyre fluturoi përkohësisht në 7.1 për qind.

#

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›