Ironia, një nga ilaçet më të mëdha të njerëzimit
Shtatshkurtër, me zë të plotë, vështrim kureshtar e buzëqeshje disi ironike (tipike edhe e filmave të saj) me të pamungueshmet syzet e bardha, regjisorja Lina Wertmuller ndali hapat para Muzeut Historik Kombëtar në Tiranë. është pjesë e rëndësishme e historisë së kinematografisë italiane, periudhës së artë të saj.
82 vjeçe dhe nuk rresht së punuari. Kinematografia është jeta e saj. Prej Fellinit të madh u dashurua marrëzisht pas filmit e pas debutimit. Protagonistë të filmave të Wertmuller kanë qenë më të njohurit, duke filluar nga Marcello Mastroiani, Sophia Loren e deri te më të rinjtë. Në Tiranë erdhi dje për një vizitë të shkurtër për të prezantuar filmin e saj të vitit 1972, “Mimì metallurgico ferito nell’onore” (“Mimì metalurgu i lënduar në nder”). Ai është pjesë e ekspozesë kinematografike, “Vështrime italiane”, realizimi i së cilës vjen me rastin e sezonit të madh të veprimtarive “Shqipëri-Itali 2010. Dy popuj, një det, një miqësi”. Tetë kryevepra të kinematografisë italiane të viteve 1950-1970 vijnë në Shqipëri për të ilustruar kuadrin historik e shoqëror të Italisë së atyre viteve. Për Linën, asgjë nuk ka ndryshuar. Në fokus të filmave të saj, akoma edhe sot mbetet gjithnjë aspekti social të cilin di ta përcjellë shumë mirë përmes ironisë, që e konsideron si një ndër ilaçet më të mëdha të njerëzimit. “Të dish të qeshësh me veten, edhe me të tjerët, por mbi të gjitha me veten, ja për këtë më pëlqen ironia”, thotë për gazetën “Shqip” ajo.
Për herë të parë në Shqipëri, një protagoniste e madhe e kinematografisë italiane. Për ne është një nder. Ju si ndiheni?
Unë ndihem shumë mirë. është një vend që më pëlqen shumë dhe në një farë kuptimi ngjan shumë edhe me Italinë.
Doni të thoni se ngjan me Italinë për të cilën flitet në filmat që do të shfaqen?
Unë nuk di edhe aq shumë mbi vendin tuaj të them të vërtetën, por më duket shumë e ngjashme me Italinë. Ju si thoni? Dy vende të ndryshme?
Pak, po.
Në ç’kuptim?
Ne jemi ende një vend në ndërtim, në një kohë që Italia e ka kaluar tashmë atë fazë. Po rilindim në një kuptim...
Epo kjo periudhë, periudha e rilindjes, është shumë e bukur, është gjithnjë shumë vitale.
Le të flasim pak për filmin tuaj, “Mimì metallurgico ferito nell’onore” (“Mimì metalurgu i lënduar në nder”), të cilin e keni realizuar në vitin 1972.
Shikoni, Italia është një vend i gjatë dhe i ngushtë, ndryshe nga Shqipëria, që është një vend më i mbledhur. Ndaj mes Veriut dhe Jugut të Italisë ka më shumë ndryshime nga sa mund të ketë mes Tiranës dhe Barit. Në këtë kuptim, Italia është shumë e veçantë. Unë duhet të them se ideja për ta bërë këtë film lindi disa kohë para se të vendosnim nëse do e xhironim apo jo. Skenari fillestar titullohej “Il dolce e l’amaro” (“E ëmbla dhe e hidhura”). Duke u marrë me shumë gjëra të tjera, e lashë mënjanë për një kohë, por ai doli sërish në sipërfaqe dhe atëherë vendosëm të nisnin xhirimet.
Asnjëherë nuk mungon ironia në filmat tuaj. Përse zgjidhni këtë mënyrë për të transmetuar mesazhet e gjithë sa doni t’i thoni publikut?
E zgjedh sepse më duket se ironia është një mik i rëndësishëm i rrugës në jetë, gjithmonë. Ajo është një nga ilaçet më të mëdha të njerëzimit. Të dish të qeshësh me veten, edhe me të tjerët, por mbi të gjitha me veten, ja për këtë më pëlqen.
Të madhin Federico Fellini ju e keni njohur përmes një prezantimi që ju ka bërë një aktor tjetër i madh, Marcello Mastroiani. Ndërkaq, gjatë rrugëtimit tuaj kinematografik keni pasur fatin të njihni shumë artistë të tjerë që kanë lënë shenjë në kinematografinë e vendit tuaj, por edhe më gjerë. Si vijnë ata në kujtesën tuaj?
Ata janë të gjithë shumë interesantë. Në një farë mënyre ata janë artistët që kanë ditur të interpretojnë më së miri realitetin italian. Kanë ditur ta tregojnë atë dhe në një farë mënyre kanë qenë pikërisht ata që e kanë bërë të madhe kinematografinë italiane.
Keni pasur rastin të njihni diçka prej kinematografisë shqiptare?
Për fat të keq jo. Por do të më pëlqente shumë të njoh. Sipas jush, a është e gjallë kinematografia në Shqipëri?
Tani, jo shumë.
Por ka qenë?
Po, ka pasur një kohë gjatë viteve të diktaturës. Atëherë xhiroheshin shumë filma. Ndërsa tani, jo se mungon dëshira, por problemi i financimeve mbetet një pengesë e përhershme për artistët...
Gjithnjë për të bëhet fjalë... (qesh). Por e përsëris, ky moment i rilindjes së një populli, një vendi, është gjithnjë shumë vital, ndaj unë besoj se do të dini të bëni gjëra shumë të bukura.
Znj. Wertmuller, përse ju pëlqen të merreni me kinematografi, të realizoni filma?
Më pëlqen të bëj filma, sepse ata tregojnë realitetin.
Zgjidhni gjithnjë tema sociale e me ngjyrime politike. Përse?
Gati gjithnjë zgjedh këto tema. Nuk e di pse e bëj, ndoshta sepse ato më interesojnë. Disa histori kërkojnë të tregohen, disa të tjera jo.
Tani që jeni 82 vjeçe, si e shihni rrugëtimin tuaj artistik, por edhe atë jetësor?
Ka qenë një rrugëtim me shumë fat. Tashmë u bënë më shumë se 50 vite që merrem me kinematografi, kam realizuar rreth 30 filma dhe e quaj veten me fat.
Si është kinemaja italiane sot?
Nuk është keq, por ne kemi pasur periudha kaq të shndritshme me regjisorë, aktorë e autorë dhe kemi pasur periudha shumë të mira, ndaj tani them se nuk jemi në maksimumin tonë, por nuk është një kinematografi e vdekur... Jeton, jeton. Si në çdo fushë, edhe kinematografia ka ato ulje-ngritjet e veta.
Ju jeni e para regjisore femër e nominuar për një çmim “Oscar” në vitin 1977, për filmin “Pasqualino Settebellezze”. Ndërkaq, për herë të parë këtë vit, një regjisore arriti ta çojë në shtëpi këtë çmim. Përse kaq pak vlerësim për regjisoret femra? Nuk janë të afta?
Jo, nuk mendoj se gjinia ka të bëjë këtu. Unë mendoj se ka filma të bukur dhe filma të shëmtuar. Ka shumë regjisore femra nëpër botë, shumë më shumë nga sa mund të njihen, por kur filmat e tyre janë të bukur, ato bëhen të njohura dhe vlerësohen që çke me të.
Keni në plan ndonjë projekt të ri kinematografik?
Po. Por nuk flas ende, sepse sjell ters të tregosh para kohe.
#