E Diel, 1 Nëntor 2026

Kapllani: “Me Augsburgun dua të ringjitem në Bundesligë”Sulmuesi i Kombëtares shqiptare, Edmond Kapllani, nënshkroi një kontratë dy-vjeçare me Augsburgun e Bundesligës së dytë gjermane, deri më 30 qershor 2011.

Sulmuesi i Kombëtares shqiptare, Edmond Kapllani, nënshkroi një kontratë dy-vjeçare me Augsburgun e Bundesligës së dytë gjermane, deri më 30 qershor 2011. 

“Më vjen shumë mirë që jam bërë pjesë e Augsburgut. Ka shumë persona atje që unë i vlerësoj e më bindën për të qenë pjesë e tyre. Me Augsburgun dëshiroj të arrijmë qëllimet e përbashkëta dhe të zhvillojmë ekipin”, - citohet Kapllani nga faqja zyrtare e klubit të tij të ri.

Edhe trajneri i Augsburgut, Xhos Luhakei, e vlerësoi shumë blerjen e shqiptarit: “Me Edmond Kapllanin ne morrëm një sulmues shumë të rrezikshëm, që ndër të tjera në sezonin 2006-2007 me 17 golat e tij pati një pjesë të madh në ngjitjen e Karlsruhes në Bundesligë. Jam shumë i kënaqur, që transferimi drejt Augsburgut u realizua”.

Ish-sulmuesi i Karlruhes, me të cilën mbylli edhe sezonin aktual e luajti në total 48 ndeshje në Bundesligën 1 (2 gola, asnjë këtë sezon) e 70 takime të vlefshme për Bundesligën 2 (24 gola), u transferua sipas mediave gjermane në parametra zero.

Në fakt, nuk është ndonjë humbje e madhe për sulmuesin 26-vjeçar durrsak, pasi sezonin e ardhshëm si Karlruhe ashtu dhe Augsburgu janë pjesë e Bundesligës 2, e Kapllani do të provojë emocione të forta kur do të luajë në përballjet e dyfishta kundër skuadrës me të cilën u bë i njohur në Gjermani.

Kapllani është blerja e katërt sezonale e Augsburgut, pasi skuadra e tij e re Firmosi edhe me Jonas De Roeck, Michael Schick und Axel Bellinghausen për sezonin e ri, duke i dhënë një fytyrë të re ekipit. Augsburgu përtëriti edhe kontratat me mbrojtësin Andrju Sinkala (deri në vitin 2011) dhe mesfushorin Elton Da Costa (deri në vitin 2010).

Mediat gjermane nuk lënë pa përmendur faktin, që Edmond Kapllani është thirrur në ekipin Kombëtar shqiptar për ndeshjen kualifikuese të Kampionatit Botëror kundër Portugalisë (6 qershor) dhe miqësoren kundër Gjeorgjisë (10 qershor).

Gazeta lokale gjermane “Aufgsburger Allgemeine” në një portret të shkurtër të Kapllanit, nuk lë pa përmendur edhe faktin e faqes personale në internet të Edmondit, një uebsajt shumë simpatik e tërheqës, pasi sulmuesi karizmatik më një “Bond-Look”, me kostum të zi e papjon, paraqitet në rolin e një lojtari pokeri, teksa animacionet e krijuara nga uebmasteri i tij personal (gjerman) e tregojnë atë duke luajtur “poker”, duke pirë lëng frutash apo më pas duke marrë në dorë edhe një gazetë.

Edmond Kapllani luajti që nga vjeshta e vitit 2004 për Karlsruhen (atëherë në Bundesligën 2) dhe me 17 golat e sezonit 2006-2007 e ndihmoi skuadrën të ngjitej në Bundesligën 1, duke u shndërruar në idhullin e tifozerisë së qytetit, madje tifozët gjatë festimeve për rikthimin e Karlsruhes i dedikuan edhe një strofë të veçantë në një këngë për klubin si dhe shpalosën një banderolë të shkruar në gjuhën shqipe “Faleminderit Kapllani”.

E Merkure, 27 Maj 2009  

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›