Nisin “ethet shqiptare” për PortugalinëTrajneri i Portugalisë, Karlos Kueiroz, deklaroi se arsyet e një grumbullimi të pazakontë treditor të lojtarëve të Kombëtares (nisi sot në Restelo), lidhen gjerësisht me synimin e tij për të njohur më mirë

Kampi portugez është pushtuar nga “ethet shqiptare” kur kanë mbetur edhe dhjetë ditë nga ndeshja e 6 qershorit midis Shqipërisë e Portugalisë (“Qemal Stafa”, ora 20:45).
Trajneri i Portugalisë, Karlos Kueiroz, deklaroi se arsyet e një grumbullimi të pazakontë treditor të lojtarëve të Kombëtares (nisi sot në Restelo), lidhen gjerësisht me synimin e tij për të njohur më mirë gjendjen e tyre.
“Kampionati në këtë moment është paksa kaotik, disa vende janë ende në kompeticion dhe të tjerë e kanë përfunduar aktivitetin. Arsye që më detyroi të kryej këtë grumbullim. Ne dëshirojmë që lojtarët të fokusohen në objektivin kryesor, që është ndeshja e Shqipërisë”.
Trajneri portugez, sipas uebsajtit rekord.pt, dëshiron të “jetë afër disa lojtarëve, t’i njohë ata më mirë, teksa në mënyrë të veçantë dëshiron të justifikojë edhe thirrjen e Pepes: “Fakti që ai është këtu është një votë besimi. Ne jemi të bindur se ai e meriton mundësinë për të treguar se ajo që ndodhi nuk ishte gjë tjetër veçse një incident. Ajo është diçka e kaluar. Ne duhet të ecim së bashku”.
Kueiroz, skuadra e të cilit barazoi pa gola me Shqipërinë në ndeshjen e parë (15 tetor 2008, në Braga), është i shqetësuar edhe nga një fakt tjetër, madje tepër shqetësues. “Shumë lojtarë në këtë periudhë janë duke menduar se ku do të jenë gjatë sezonit tjetër, kështu kjo gjendje me shqetëson. Për disa të tjerë sezoni ende nuk ka përfunduar. Vetëm pasi të kenë përfunduar ato ju mund të mendoni për pak pushim”.
Një nga risitë e listës së Portugalisë është dhe thirrja e Hoze Moreiras, portierit 27-vjeçar të Benfikës, një lojtar që ka kaluar në të gjitha nivelet e përfaqësueseve të luzitanëve (nga U-17 deri të A), por që për herë të fundit ishte pjesë e grupit portugez në Euro 2004.
Në listën prej 24 lojtarësh të Portugalisë bie në sy mungesa e Miguel Lopez dhe Rio Ave, që të dy të dëmtuar.
E Merkure, 27 Maj 2009