E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kapshticë, 60 mijë emigrantë vijnë për festat

Pala greke ka hapur katër sportele për emigrantët por sërish atyre iu duhet një pritje prej 5 orësh për tu kthyer
KORÇË- Kapshtica, pika kufitare në juglindje të vendit dhe kontakti i parë i emigrantëve me Shqipërinë, është kthyer orët e fundit në vendin më të vizituar dhe me popullsinë më të madhe në vend. Ndërkaq radhët në anën greke të kufirit janë kthyer në një normalitet ditët e fundit në Kapshticë, për tu shoqëruar dhe me rrëmujën e zakonshme dhe të njohur në këto raste në tokën shqiptare. Sipas vetë emigrantëve shqiptarë që kanë hyrë gjatë 24 orëve të fundit, koha e pritjes në kufirin e shtetit fqinj ka qenë e gjatë. Kështu gjatë 24 orëve të fundit, në doganën e Kapshticës kanë hyrë nga Greqia rreth 2600 persona dhe 660 automjete. Pritja në anën greke kalon deri dhe pesë orët. Ndërsa policia e shtetit fqinj për lëvizjet ndërkufitare ka vënë në dispozicion vetëm për daljet nga shteti i saj katër sportele nga dy të tillë që kanë qenë para datës 10 dhjetor kur ka nisur dhe leja për lëvizjen e emigrantëve shqiptarë në pritje të rinovimit të lejes së qëndrimit në Greqi dhe të pajisur me "Veveos", në anën shqiptare funksionojnë gati dyfishi t tyre. Për të përballuar këtë fluks të lartë njerëzish dhe mjetesh, policia kufitare në Kapshticë në anën shqiptare të saj ka vënë në funksion shtatë sportele duke evituar në çdo moment radhët e gjata dhe qarkullimin me vështirësi të emigrantëve shqiptarë për të mos i lënë të presin gjatë në përfundim të procedurave hyrëse në temperaturat e ulëta të shoqëruar shpesh me reshje dëbore. Sipas komandantit të pikës së kalimit, Dritan Shemadhe, përveç shtimit të sporteleve janë marrë masat për shërbime të përforcuar për të shmangur krijimin e radhëve në mjete dhe vonesat për emigrantët. Në vendkalimin kufitar të Kapshticës, kanë hyrë nga Greqia këto ditë rreth 60 mijë emigrantë. Ky fluks i lartë njerëzish është shoqëruar edhe nga hyrja e një numri të madh automjetesh. Gjatë kësaj periudhe, kanë qarkulluar për në Shqipëri 14.800 automjete, pjesa më e madhe e të cilave autovetura të emigrantëve. Dritan Shema, komandant i policisë kufitare shqiptare në Kapshticë, pohon gjithashtu se edhe shtetasit shqiptarë kanë udhëtuar drejt Greqisë me rastin e festave të fundvitit. Sipas tij, në dalje për në Greqi janë regjistruar 18.787 persona me 7273 mjete. Pritet që fluksi i fundit i emigrantëve që synojnë Shqipërinë nëpërmjet pikës kufitare të Kapshticës të jetë gjatë të dielës dhe të hënës, ditë për të cilat pala shqiptare ka marrë masa, duke bashkërenduar veprimet e saj dhe me homologët greke. Ndërkaq pala shqiptare gjatë momentit të dyndjes së emigrantëve në kufi merr takime me kolegët e saj për të mos krijuar situata të rënduara, ndërkohë që në anën shqiptare të kufirit është vendosur edhe një autoambulancë me një personel mjekësh dhe infermierësh për raste emergjencash shëndetësore, sipas urdhrit të ministrit të Shëndetësisë Ndoka.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›