Vuante nga sëmundje e rëndë, vetëvritet 59-vjeçari
Mark Hoti, i sapokthyer nga Italia ka vrarë veten me plumb në gojë me armën e blerë një ditë më parë
Policia: Në xhep iu gjet letra e lamtumirës për familjarët. Do shkoj në parajsë. Familja: Doli në mëngjes herët
SHKODËR-I lodhur nga sëmundja dhe pa shpresë për shërim një 59-vjeçar i ka dhënë fund jetës me një plumb në gojë. Vetëvrasjen e kishte planifikuar që kur ishte në Itali, ku jetonte me familjen prej muajsh, por vendosi të ndërronte jetë në vendin e tij të lindjes. I bindur, si ka pranuar edhe vetë se në parajsë do të ishte i lumtur. Mark Hoti, banor i fshatit Dajç i Vjetër u gjet dje i pajetë nga kalimtarë të rastit, në një prej rrugëve të komunës ku banonte. Fillimisht u dyshua për një vrasje të mundshme, por gjithçka u qartësua pas ekspertizës dhe letrave që viktima kishte në xhepin e xhaketës, ku sqaronte motivin e vetëflijimit.
Ngjarja
Trupi i pajetë i 59-vjeçarit u gjet mëngjesin e djeshëm në një prej rrugëve të komunës Dajç, në rrethin e Shkodrës. Ka qenë ora 07.30, kur furgoni i linjës ka parë në mes të rrugës vetëm rreth 100 metër larg kishës që ndodhet përballë komunës Dajç, një kufomë. Pasagjerët e furgonit kanë lajmëruar menjëherë policinë, ndërsa kanë identifikuar trupin e pajetë të Mark Rrok Hotit, banor i fshatit Dajç i Vjetër. Sipas policisë mësohet se viktima ishte e shtrirë në tokë, në shpinë, me kokë nga brendësia e fshatit dhe tek këmbët kishte një armë zjarri pistoletë. Sipas të afërmve, ai kishte vetëm dy ditë që kishte ardhur nga Italia, ku ka dy djemtë e tij bashkë me familjet, ndërsa ai vetë dhe bashkëshortja e tij kishin disa muaj që kishin shkuar atje. "Në vendin e ngjarjes u gjet një gëzhojë, ndërsa trupi ishte në mes të rrugës së asfaltuar",- thanë dje burimet zyrtare të policisë, duke shtuar se hetimet fillimisht u shtrinë në pistën e vrasjes dhe atë të vetëvrasjes dhe vetëm pas rreth 1 ore kjo enigmë u zgjidh.
Letra
Në një prej xhepave të xhakaventos që kishte të veshur viktima, policia gjeti një letër të shkruar prej tij. Sipas burimeve policore në letër ai shprehej se kishte vendosur të vetëvritej që në Itali, por kishte dashur që këtë ta bënte në vendlindjen e tij. Ai ka shkruar se vuante nga sëmundje në stomak e shtyllë kurrizore dhe se gjatë bisedave që kishte bërë me një prift italian ishte bindur se jeta e përtejme ishte më e mirë. "Për këtë kam vendosur t'i jap fund jetës dhe një ditë më parë bleva një pistoletë në lagjen "Liria" në Shkodër",- shkruhej në letër, ku sipas policisë, shënohej edhe shuma me të cilën viktima kishte blerë armën. I vendosur për atë që kishte në mend të bënte, në mëngjes herët kishte dalë nga shtëpia, pa i thënë asgjë gruas dhe djalit të tij, me të cilët kishte ardhur nga Italia për festën e Vitit të Ri. Siç lexohej në letrën e shkruar, këta kanë qenë duke fjetur kur 59-vjeçari ka dalë nga banesa. Madje, në letër ai kërkonte që të viheshin në dijeni familjarët e tij për gjithçka. "Letra është shkruar dy herë, pasi janë gjetur dy të tilla të ngjashme në dy prej xhepave të viktimës",- pohojnë burimet nga policia.
Familja
Banesa e viktimës ndodhet vetëm 150 metër larg vendit ku ai u vetëvra. Familjarët kanë deklaruar në polici se kanë qenë në dijeni të sëmundjes, por nuk kanë pasur asnjë dyshim për atë që kryefamiljari kishte vendosur të bënte. "E dinim që ishte i sëmurë, por nuk dinim se ku kishte shkuar në mëngjes",- kanë thënë familjarët, sipas të cilëve ai vazhdimisht dilte herët në mëngjes nga shtëpia. Në banesë është gjetur dhe një letër tjetër që 59-vjeçari ia drejtonte familjes së tij, ku shprehej se do t'i jepte fund jetës dhe shpresonte të shkonte në parajsë. Kjo e ka forcuar bindjen se është një vetëvrasje.
Policia
"Mark Hoti u vetëvra me një plumb në gojë"
Sipas policisë, Mark Hoti i ka shkruar letrat më përpara, në mëngjes herët dhe më pas ka dalë në rrugën ku nuk kishte lëvizje në atë orë. "Aty është ulur këmbë mbledhur dhe e ka goditur veten me një plumb në gojë",- thonë burimet policore. Në tytën e armës janë gjetur gjurmë të kufomës, pasi ai në momentin e kryerjes së vetëvrasjes e ka futur gjithë tytën e armës në gojë. "Ndërsa në dorë ka pasur dhe gjurmë të barutit të mbetura gjatë shkrepjes",- shtojnë burimet. Pas shkrepjes, ai ka mbetur i vdekur në vend, ndërsa arma e cila ishte me karikatorin plot me fishekë dhe automatikisht ka marrë në gojë fishekun e radhës i ka rënë nga dora tek këmbët. Kjo është viktima e 21-të e vetëvrasjeve në qarkun e Shkodrës gjatë vitit 2007.