Karafil Shena: skenat e seksit më të vështirat për një aktor
Karafil Shena është një emër i njohur i kinematografisë shqiptare, sidomos të para viteve ’90-të, por që herë pas here është rikthyer në shesh xhirim. Ishte regjisori Bujar Alimani që e ktheu si protagonist në filmin e tij të parë me metrazh të gjatë “Amnistia”. Shena luan rolin e Shpëtimit, të dashurit të Elsës. Si një aktor me eksperiencë, edhe ai shprehet se skenat më të vështira që ai ka realizuar në këtë film ishin pikërisht skenat erotike. “Dikur kam dëgjuar një intervistë të Marcelo Mastroianit, ku një gazetar e pyeste ashtu si ju mua tani, se cilat janë skenat më të vështira që ju është dashur të realizoni gjatë karrierës suaj dhe ai iu përgjigj: skenat erotike. Unë atëherë isha shumë më i ri dhe kur e dëgjova thashë: ky po na gënjen. Por tani që më drejtoni të njëjtën pyetje, mendoj se vërtet janë skena shumë, shumë të vështira për një aktor. Partnerja ime d.m.th bashkëshortja në film, që nuk jepet kurrë me fytyrë, nuk ishte fare aktore. Nuk e njihja dhe nuk më njihte dhe të gjitha marrëdhëniet njerëzore që ju shihni aty u krijuan në shesh xhirim. Por ajo që unë do doja të nënvizoja është se vërtet në fillim, pa nisur xhirimet, ato skena më dukeshin tepër të vështira, por falë klimës që krijoi regjisori, që këtu punohet dhe nuk luhet, unë u çlirova. Në të gjitha skenat që ju patë në film ju patë vetëm një dubël, por në fakt janë bërë dubla pa fund, për të realizuar ato skena. Në momentin e xhirimit të këtyre skenave nga stafi realizues i filmit, nuk pamë në asnjë moment ndonjë buzëqeshje ironike që të të vinte në siklet, por pamë seriozitetin në një shesh xhirimi, ku vetëm punohej dhe nuk luhej. Dhe kjo klime si tek unë dhe tek ajo vajza që interpreton bashkëshorten time u përcoll shumë qartë dhe vetëm kështu arritëm ta kapërcenim këtë situatë të vështirë”- rrëfehet aktori Karafil Shenaj.