E Diel, 1 Nëntor 2026

Karakaçi: Avancojnë projektet strategjike në infrastrukturë dhe energji

TIRANË, 6 gusht /ATSH/ Gjatë 7-mujorit të këtij viti, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë ka vijuar punën për realizimin e një sërë projektesh strategjike në infrastrukturën rrugore, energji, ujësjellës dhe transport, me synim përmirësimin e shërbimeve publike, rritjen e sigurisë energjetike dhe mbështetjen e zhvillimit ekonomik të vendit.

Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi ka ndarë në rrjetet sociale momente nga disa prej investimeve kryesore, duke theksuar se puna vijon në kantieret në të gjithë vendin për përmbylljen e projekteve të nisura.

“Investime që kontribuojnë në përmirësimin e infrastrukturës publike, rritjen e sigurisë energjetike dhe zhvillimin ekonomik të vendit. Në çdo kantier po vijojmë me intensitet për të përmbyllur punët e nisura dhe që qytetarët po i presin”, u shpreh Karakaçi.

Në sektorin rrugor, një nga ndërhyrjet kryesore është zgjerimi i superstradës Tiranë–Durrës me shtimin e korsive të reja, një projekt që synon lehtësimin e trafikut dhe përmirësimin e sigurisë në një prej akseve më të frekuentuara të vendit.

Ndërkohë, për aksin Milot–Balldren është shpallur kompania fituese që do të realizojë projektin, duke i hapur rrugë një tjetër investimi të rëndësishëm në infrastrukturën kombëtare.

Gjatë kësaj periudhe janë hapur për qarkullim vepra të reja infrastrukturore, si Ura e re e Vrionit, ndërsa kanë vijuar punimet në rrugën e Komanit dhe në Korridorin VIII, një nga korridoret më të rëndësishme të lidhjes së Shqipërisë me rrjetet rajonale të transportit.

Gjithashtu, kanë nisur punimet në bajpasin e Tiranës dhe në bajpasin e Sarandës, projekte që synojnë përmirësimin e lëvizshmërisë, uljen e ngarkesës së trafikut dhe rritjen e aksesit në zonat urbane e turistike.

Në fushën e ujësjellës kanalizimeve, një tjetër investim i përfunduar është ujësjellësi i ri i Elbasanit, i cili synon të përmirësojë furnizimin me ujë për banorët dhe cilësinë e shërbimit.

Një vëmendje e veçantë gjatë 7-mujorit i është kushtuar edhe forcimit të sistemit energjetik. Përmes investimeve në nënstacione dhe kapacitete të reja është synuar rritja e sigurisë së furnizimit me energji elektrike.

Ndërhyrjet përfshijnë rritjen e kapaciteteve në nënstacionin Elbasan 3, zgjerimin e kapaciteteve energjetike në Tiranë 3 dhe ndërtimin e nënstacionit të ri energjetik në Kamzë.

Paralelisht, vijon puna për zhvillimin e Vlorës si një hub energjetik, pjesë e objektivit për forcimin e rolit të Shqipërisë në sektorin energjetik rajonal.

Në transportin ajror dhe detar janë shënuar gjithashtu zhvillime të rëndësishme.

Fluturimi i parë transatlantik Shqipëri-Kanada shënoi një hap të ri në zgjerimin e lidhjeve ndërkombëtare ajrore, ndërsa Porti i Durrësit është përgatitur për sezonin turistik, me kapacitete dhe shërbime të përmirësuara për përballimin e fluksit të vizitorëve.

Investimet e realizuara dhe ato në proces synojnë modernizimin e infrastrukturës së vendit, përmirësimin e cilësisë së jetesës për qytetarët dhe krijimin e kushteve më të mira për zhvillimin ekonomik, turistik dhe energjetik të Shqipërisë.

/e.xh/j.p/r.e/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›