E Diel, 1 Nëntor 2026

Vijojnë punimet në rrugën e Qafë-Dardhës në Berat, investim për zhvillimin e turizmit dhe përmirësimin e aksesit

TIRANË, 6 gusht /ATSH/ Punimet për rehabilitimin e rrugës së Qafë-Dardhës në Berat po vijojnë me ritme të larta, me fokus në përmirësimin e sigurisë dhe qëndrueshmërisë së këtij aksi të rëndësishëm për komunitetin dhe vizitorët e zonës.

Sipas të dhënave të bëra publike nga ministri i Shtetit për Pushtetin Vendor, Ervin Demo, aktualisht po punohet për ndërtimin e mureve mbajtëse dhe sistemimin e kanaleve kulluese, ndërhyrje të domosdoshme për forcimin e trupit të rrugës dhe mbrojtjen e saj nga dëmtimet.

Ky investim synon të krijojë kushte më të sigurta për qarkullimin e mjeteve, të përmirësojë aksesin për banorët e zonës dhe të rrisë mundësitë për zhvillimin e turizmit në Qafë-Dardhë, një zonë me potencial të rëndësishëm natyror dhe turistik.

Projekti financohet përmes Programit për Zhvillimin e Infrastrukturës Turistike, me mbështetjen e Bashkimit Europian dhe Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), ndërsa zbatohet nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit në partneritet me Bashkinë Berat.

Ndërhyrjet në infrastrukturën rrugore në zonat rurale dhe malore janë pjesë e përpjekjeve për të përmirësuar lidhjen e komuniteteve lokale me qendrat urbane, për të nxitur ekonominë lokale dhe për të krijuar më shumë mundësi për zhvillimin e agroturizmit dhe turizmit natyror.

Rruga e Qafë-Dardhës pritet të sjellë një akses më të lehtë dhe më të sigurt drejt kësaj zone, duke i dhënë një shtysë të re potencialit turistik të Bashkisë Berat.

E vendosur në rrëzë të malit të Tomorit, Qafë-Dardha është një prej zonave me potencialin më të madh turistik në Bashkinë Berat. Kombinimi i peizazheve natyrore, historisë dhe traditave vendase e bën këtë fshat një destinacion të veçantë për vizitorët që kërkojnë përvoja autentike në natyrë.

Ndërsa Qafë-Dardha pasurohet edhe nga monumente natyrore me vlera të veçanta, si Çuruqet e Bezgës, Ujëvara e Sotirës dhe Çezma e Tarikos, që e bëjnë zonën një destinacion të përshtatshëm për turizmin e natyrës dhe aventurës.

1 nga 5

/e.xh/j.p/r.e/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›