Karakaçi: Fituesi për koncesionin e aksit Milot-Balldren shpallet në fund të majit

TIRANË, 22 maj/ATSH/ Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi, bëri të ditur sot se fituesi i koncesionit për ndërtimin e segmentit rrugor Milot-Balldren pritet të shpallet brenda fundit të majit ose në fillim të qershorit, pas përfundimit të fazës së vlerësimit të ofertave.
Karakaçi theksoi se projekti i rrugës Milot-Balldren ka kaluar në disa etapa dhe se aktualisht Komisioni i Vlerësimit është në fazën përmbyllëse të punës.
Sipas tij, procedura po ecën në përputhje me kuadrin ligjor të koncesioneve në Shqipëri dhe synimi është realizimi i një infrastrukture të standardeve më të larta.
“Është një procedurë koncesioni e hapur. Jemi në fazën e vlerësimit të ofertave dhe Komisioni është në fazën përmbyllëse. Pritet që brenda fundit të majit ose fillimit të qershorit të shpallet fituesi për rrugën Milot-Balldren”, u shpreh ministri.
Ai nënvizoi se projekti parashikon ndërtimin e një autostrade të kategorisë “A”, me standarde europiane, e cila do të lehtësojë ndjeshëm qarkullimin dhe do të shërbejë si nyje lidhëse mes veriut dhe pjesës qendrore të vendit, si dhe me Kosovën, duke ndikuar edhe në zhvillimin e zonave turistike të Shëngjinit dhe Velipojës.
Procedura për ndërtimin e autostradës Milot-Balldren nisi në vitin 2018, kur një subjekt privat paraqiti një ofertë të pakërkuar për realizimin e projektit nëpërmjet një partneriteti publik-privat. Më pas, qeveria e pranoi nismën dhe e kaloi në procedurë koncesionare, duke hapur garën për përzgjedhjen e investitorit.
Në fund të vitit 2018, u shpall edhe fituesi i parë i koncesionit, duke i dhënë projektit bazën e tij ligjore dhe financiare. Në vijim, në vitin 2019, procesi u formalizua më tej përmes miratimeve përkatëse ligjore dhe kontraktuale, duke e futur projektin në kuadrin e plotë të një PPP-je infrastrukturore.
Gjatë viteve 2020-2024, projekti nuk avancoi në fazën e ndërtimit, duke u shoqëruar me rishikime dhe vonesa procedurale, përfshirë diskutime mbi koston dhe kushtet e zbatimit.
Në fund të vitit 2024, procedura u rihap si një garë e re koncesionare me një vlerë të përllogaritur rreth 364,7 milionë euro dhe një afat koncesioni prej 35 vitesh. Megjithatë, në mesin e vitit 2025, procedura u anulua pasi asnjë nga ofertat e paraqitura nuk përmbushi kërkesat e përcaktuara në dokumentet e garës.
Më pas, në gusht 2025, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë e rihapi sërish procedurën, duke e rikthyer projektin në fazë konkurrence. Aktualisht, procesi ndodhet në fazën e vlerësimit të ofertave dhe pritet shpallja e fituesit pas përmbylljes së procedurave përkatëse.
Sipas të dhënave të projektit, aksi Milot-Balldren do të nisë në nyjën e Milotit, ku lidhet me segmentet Milot-Thumanë-Kashar-Lekaj dhe me Rrugën e Kombit, dhe do të përfundojë në rrugën ekzistuese Tiranë-Shkodër në zonën e Balldrenit.
Autostrada e re parashikohet të jetë e kategorisë “A”, me tre korsi në secilin drejtim, e mbyllur në të dy krahët dhe me shpejtësi maksimale deri në 120 km/orë, duke synuar përmirësimin e ndjeshëm të qarkullimit dhe lidhjeve rrugore në veri të vendit.
Ministri Karakaçi siguroi sot se rruga do të bëhet dhe se do të ketë edhe rrugë alternative që t’u ofrohen qytetarëve sipas të njëjtave kushte që kalojnë aktualisht, por procesi do të ecë sipas një rruge ligjore përkatëse, siç e rregullon kuadri i koncesioneve në Shqipëri.
/j.p/r.e/