E Diel, 1 Nëntor 2026

Karakaçi: Hekurudha Tiranë-Durrës në funksion në vitin 2027, elektrifikimi në fazë prokurimi

TIRANË, 22 maj /ATSH/ Ministri i Infrastrukturës dhe Energjetikës, Enea Karakaçi deklaroi sot se hekurudha Tiranë-Durrës pritet të vihet në funksion gjatë vitit 2027, ndërsa bëri të ditur se aktualisht vendosja e shinave ka përfunduar. Sipas tij, janë në fazë prokurimi dy elemente, elektrifikimi si dhe 4 kilometrat e fundit të hekurudhës.

Në një konferencë për mediet, Karakaçi u shpreh se projekti, i realizuar në bashkëpunim me Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, ka hasur vonesa për shkak të mangësive në fazat fillestare të hartimit.

“Kur është marrë kredia e parë, projekti nuk ishte i plotë, pasi nuk ishte gati faza e elektrifikimit të hekurudhës dhe nuk ishin parashikuar stacionet përkatëse, të cilat fatmirësisht sot i kemi”, tha ministri.

Sipas tij, aktualisht është hapur procedura e prokurimit për elektrifikimin e linjës, që konsiderohet edhe faza përmbyllëse e këtij projekti të rëndësishëm hekurudhor.

Karakaçi theksoi gjithashtu se Hekurudha Shqiptare, në bashkëpunim me BERZH-in, ka vendosur të zgjasë linjën deri tek ish-Stacioni i Trenit në Tiranë.

“Pika fundore e hekurudhës ishte në Kashar, por tashmë Hekurudha Shqiptare ka njoftuar fillimin e procedurave të prokurimit për ndërtimin e 4 kilometrave të fundit, me qëllim rikthimin e linjës në pikën ku ka qenë më parë, tek ish-Stacioni i Trenit”, deklaroi ai.

“Viti 2027 është tërësisht i realizueshëm për vënien në funksion të hekurudhës. Elektrifikimi dhe 4 kilometrat e fundit janë në fazë prokurimi dhe, në varësi të këtij procesi, në vitin 2027 Shqipëria do të ketë vijën e parë hekurudhore sipas standardeve më të mira”, përfundoi Karakaçi.

/e.xh/j.p/r.e/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›