E Diel, 1 Nëntor 2026

Karakaçi: Ndjekim në mënyrë dinamike tregun e karburanteve, ende asnjë vendimmarrje për Bordin e Transparencës

TIRANË, 19 mars/ATSH-Maela Marini/ Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi komentoi sot propozimet e paraqitura nga Partia Demokratike për uljen e taksës së qarkullimit te çmimi i karburanteve.

Ministri sqaroi se Shqipëria ka ndjekur model tjetër lidhur me taksën e qarkullimit.

“Taksa e qarkullimit është në të gjitha vendet e BE-së, por disa e segmentojnë në pikat e karburantit ndaljen e taksës së qarkullimit, disa e segmentojnë në pagesat e taksave të mjeteve. Ne kemi gjykuar dhe vlerësuar se marrja e taksës së qarkullimit në pikën e karburantit është mjeti më i mirë sepse paguajnë më shumë taksë ata që përdorin më shumë mjetet”, theksoi ai.

Karakaçi theksoi se qeveria po ndjek në mënyrë dinamike tregun e karburanteve edhe në vendet e tjera të rajonit.

“Patjetër që ka modele të ndryshme. Lidhur me ndjekjen e një modeli të vendosjes së çmimit tavan dhe rifillimin e Bordit të Transparencës nuk kemi akoma një vendimmarrje, pasi po presim akoma dinamikat e tregut. Patjetër që ky bord është aty dhe mund të krijohet me vendim të Këshillit të Ministrave”, tha Karakaçi.

Po ashtu ministri theksoi se ka dy elementë që shikohen në momentin e krizës, ku së pari vlerësohet nëse ka mungesë produkti në treg.

“Siç jemi njoftuar, ngushtica e Hormuzit nuk përbën problem furnizimi për grupet e furnizuesve shqiptarë sepse pjesa më e madhe e tyre, mbi 90% e furnizimit të lëndëve të produkteve të naftës vijnë nga rrugët e tjera detare”, shtoi ai.

Për sa i përket rritjes së çmimit të naftës, Karakaçi shtoi se mekanizmi është aty dhe mund të vihet menjëherë me një vendim të Këshillit të Ministrave.

“Për momentin kemi vlerësuar që me anë të komunikimit me grupet e interesit, me shoqatat hidrokarbure, ato ta kuptojnë edhe vetë rëndësinë në mënyrë që të mos ngrihet menjëherë Bordi i Transparencës. Por ai mund të ngrihet shumë shpejt, edhe pse akoma nuk është vendosur një gjë e tillë”, tha Karakaçi. /j.p/

Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi, foto: Florian Abazaj 1 nga 3

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›