E Diel, 1 Nëntor 2026

Shpallet në kërkim dhe pezullohet nga detyra drejtori i IEVP-së Rrogozhinë, Bilal Hasa

TIRANË, 19 mars/ATSH/ Policia e Shtetit njoftoi sot se është finalizuar operacioni policor i koduar “Kurtaj”, për goditjen e kultivimit të bimëve narkotike në ambiente të mbyllura me anë të llambave.

Sipas njoftimit, janë zbuluar dy ambiente të përshtatura për kultivimin e bimëve narkotike dhe janë sekuestruar rreth 4000 bimë kanabisi, llamba, neonë dhe pajisje të tjera elektrike.

Nga veprimet hetimore rezultoi se ambienti është në pronësi të shtetasit B. H., i cili u shpall në kërkim. Në vijim të veprimeve, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”, u shpall në kërkim edhe shtetasi E. M., me detyrë përgjegjës i OSHEE-së për zonën e Peqinit.

Policia thekson se operacioni nën drejtimin e Prokurorisë Elbasan, vijon, ndërsa po punohet intensivisht për identifikimin dhe nxjerrjen përpara përgjegjësisë penale të personave të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale.

Ndërkohë, Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve ka reaguar pasi është vënë në dijeni nga mediet lidhur me rastin e drejtorit të Institucionit të Ekzekutimit të Vendimeve Penale Rrogozhinë, Bilal Hasa.

Në vijim të informacionit të marrë, Drejtoria e Përgjithshme ka ndërmarrë masa administrative të menjëhershme për pezullimin e tij nga detyra, deri në zbardhjen e plotë të ngjarjes nga organet kompetente.

Gjithashtu, Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve, bën me dije në njoftim se distancohet nga çdo veprim që bie ndesh me ligjin dhe thekson se mbështet plotësisht hetimin e plotë dhe transparent të rastit.

/e.i/r.e/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›