Karakaçi me ministrin irlandez, diskutohen mundësitë e bashkëpunimit në sektorin e aviacionit

TIRANË, 15 korrik/ATSH/ Ministri i Infrastrukturë dhe Energjisë, Enea Karakaçi u takua me ministrin për Klimën, Energjinë dhe Mjedisin të Irlandës, Darragh O’Brien, me të cilin diskutuan mbi forcimin e bashkëpunimit mes dy vendeve.
Ministri Karakaçi u shpreh se në takim, palët u ndalën te potenciali i madh i energjisë së rinovueshme, veçanërisht te zhvillimi i baterive, ku Irlanda duke qëne një histori suksesi, do të ishte një partner me ekspertizë të vyer për Shqipërinë.
Gjithashtu, u shkëmbyen mendime për mundësitë e bashkëpunimit në sektorin e aviacionit, duke pasur parasysh përvojën irlandeze dhe rolin e Ryanair në tregun evropian dhe atë shqiptar.
Karakaçi informoi se gjatë bisedës, u bisedua edhe pvr rrugëtimin evropian të Shqipërisë, duke vlerësuar mbështetjen e Irlandës dhe rëndësinë e Presidencës së saj të Këshillit të Bashkimit Evropian në avancimin e prioriteteve të përbashkëta evropiane. Ministri Karakaçi ndodhet në Nju Jork ku mori pjesë në Forumin Politik të Nivelit të Lartë për Zhvillimin e Qëndrueshëm (HLPF) në selinë e OKB-së.