E Hënë, 2 Nëntor 2026

Karanxha: “Ka plasur ‘Nesti’ në drejtësi!” – 33 zyrtarë të arrestuar nga SPAK, priten të tjera goditje

Në një intervistë të zhvilluar në emisionin “Tema e Ditës” në RTSH me gazetarin Arbër Hitaj, ish-prokurori Ervin Karanxha analizoi raportimin pesëorësh të kreut të SPAK, Altin Dumani, para Komisionit të Ligjeve dhe Komisionit për Nismat Qytetare.

Raporti, i cili përmbledh veprimtarinë e Prokurorisë së Posaçme për vitin 2024, u cilësua nga Karanxha si një pasqyrë e qartë e arritjeve dhe sfidave të institucionit.

Ish-prokurori, vlerësoi pozitivisht punën e Altin Dumanit në krye të SPAK, duke e cilësuar si një periudhë me rezultate të prekshme dhe konsolidim institucional.

Ai theksoi se gjatë mandatit të Dumanit janë arritur goditje të rëndësishme ndaj krimit të organizuar dhe korrupsionit.

“Unë do t’i vija notën 9 SPAK-ut dhe z. Dumani,” u shpreh Karanxha, duke nënvizuar se drejtimi i tij ka qenë i qartë, profesional dhe i mbështetur në prova, jo në emra.

Ai shtoi se Dumani ka ndjekur një linjë të pavarur dhe ligjore, duke refuzuar çdo presion politik apo publik, dhe se puna e tij do të shërbejë si bazë për pasardhësin që do të marrë drejtimin e institucionit.

 Ai theksoi se Dumani raportoi për punën e prokurorëve të SPAK, për rolin e tij si drejtues dhe për zhvillimet në Byronë Kombëtare të Hetimit, pavarësisht se procesi për zgjedhjen e kreut të saj është ende në pritje.

“Dumani raportoi për punën e prokurorëve të SPAK, për pozicionin e drejtuesit të SPAK në raport me prokurorët e SPAK. Foli për Byronë Kombëtare të Hetimit, pavarësisht se jemi para zgjedhjes së kryetarit të saj.”

Karanxha zbuloi se aktualisht po kryhen verifikime për kreun e Byrosë së Hetimit, për shkak të një sërë letrash anonime që kanë qarkulluar brenda institucionit.

Ai paralajmëroi për një fenomen të ngjashëm me “Nesti Agoni”, që sipas tij nuk kufizohet më vetëm në pushtetin ekzekutiv, por është shfaqur edhe brenda organeve të drejtësisë.

“Po bëhen verifikime për kreun e Byrosë së Hetimit sepse ka pasur shumë letra, sepse është hapur fenomeni ‘Nesti Angoni’. Dhe brenda SPAK ka fenomen të tillë sepse ka pasur letra për njëri-tjetrin. Janë letra anonime. Pra, akuza që ata kanë për njëri-tjetrin dhe pavarësisht se janë anonime, ato verifikohen.”

Karanxha vlerësoi si arritje faktin që 10 prej tyre janë dënuar me vendim të formës së prerë, ndërsa për të tjerët vendimin do ta japë gjykata.

“Në raportimin e tij, z. Dumani bëri të ditur se gjatë vitit 2024 janë sekuestruar pasuri të krimit në vlerën e 65.5 milionë euro dhe janë proceduar penalisht 33 ish-zyrtarë të lartë. Janë 10 zyrtarë të lartë që janë dënuar penalisht me vendim të formës së prerë, që është arritje. Por përveç këtyre dhjetë zyrtarëve të lartë, për të tjerët do të jetë gjykata ajo që duhet të përballen me gjykimin.”

Ish-prokurori sqaroi edhe procedurën për zgjedhjen e drejtuesit të ri të SPAK, duke përmendur katër kandidaturat aktuale: Elvin Gogaj, Adnand Xholi, Doloreza Musabelliu dhe Klodian Braho.

Ai shpjegoi se të gjithë janë prokurorë brenda njësisë speciale dhe do të paraqesin platformën e tyre në Këshillin e Lartë të Prokurorisë.

“Sot janë 4 kandidaturat: Elvin Gogaj, Adnand Xholi, Doloreza Musabelliu dhe Klodian Braho. Këta janë prokurorë brenda njësisë speciale dhe konkurojnë me njëri-tjetrin në Këshillin e Lartë të Prokurorisë. Të gjithë këta paraqisin platformën e tyre në KLP. Mendoj se në këtë votim do dalë ai që do marrë shumicën sipas ligjit.”

Karanxha vlerësoi kontributin e Altin Dumanit dhe paraardhësit të tij, Arben Kraja, duke theksuar se institucionet e drejtësisë kanë kaluar në faza të rëndësishme konsolidimi.

Ai përmendi se Dumani do t’i lërë çështjet e hapura për t’u ndjekur nga pasardhësi.

“Duhet të kemi parasysh dhe kontributin e z. Kraja që e ka marrë këtë institucion në fillim derisa e kristalizoi punën. Ai ka kontributin e tij dhe ato çështje u proceduan nga z. Dumani. Sikurse ky i fundit do t’i lërë për t’u ndjekur nga pasardhësit.”

Sipas Karanxhës, Dumani u tregua i qartë përballë akuzave të opozitës, duke theksuar se për të dhe kolegët e tij nuk ka rëndësi asnjë emër, por vetëm prova.

Ai nënvizoi se SPAK vepron mbi bazën e ligjit dhe të fakteve, duke refuzuar çdo lloj presioni politik apo publik.

“Në raportim flitet në përgjithësi, nuk flitet për çështje konkrete. Z. Dumani theksoi se SPAK vepron mbi bazën e ligjit dhe të fakteve, duke refuzuar çdo lloj presioni politik apo publik.”

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›