Karaxhiç në gjykatë: Dua më shumë kohë
Ish-lideri i serbëve të Bosnjës, Radovan Karaxhiç, është shfaqur dje në Gjykatën e Hagës për herë të parë që nga fillimi i gjyqit të tij për akuzat e gjenocidit. Pasi kishte munguar në dy seancat e para, ai deklaroi se nuk kishte ndërmend që të merrte pjesë në këtë gjyq, pasi nuk i ishte dhënë koha e mjaftueshme për përgatitjen e mbrojtjes. Karaxhiç përballet në këtë gjyq me 11 akuza të rënda, të cilat i japin burgim të përjetshëm. Ai i ka mohuar të gjitha akuzat edhe pse është njeri që akuzohet për gjenocidin më të madh në Europë pas Luftës së Dytë Botërore. "Unë nuk dua të bojkotoj seancat e gjyqit, por nuk mund të marrë pjesë në diçka e cila ka nisur keq qysh nga fillimi", ka deklaruar Karaxhiç. Ndërkaq, avokati i Karaxhiçit i ka kërkuar trupit gjykues më shumë kohë për të përgatitur mbrojtjen e duhur për akuzat e rënda. Karaxhiç, 64 vjeç, është shfaqur në gjykatë i larë dhe i qethur dhe në formë të mirë fizike, madje me atë model flokësh që mbante kur ishte në krye të luftës së Bosnjës në fillim të viteve ‘90.