Policia: Shpallet në kërkim biznesmeni Rezart Taçi
Policia e Tiranës ka arrestuar dy shoqëruesit e Rezart Taçit, ndërkohë që ka shpallur në kërkim biznesmenin. Drejtoria e Policisë së Qarkut të Tiranës doli dje para mediave, duke u prononcuar zyrtarisht për incidentin mes Mero Bazes dhe pronarit të "Taçi Oil", Rezart Taçi, ku tha se ishin implikuar edhe dy persona të tjerë. Alma Katragjini, zëdhënëse e Policisë së Tiranës, tha se gjatë orëve të vona të së hënës, specialistët e Seksionit Kundër Krimeve ndaj Jetës dhe Shëndetit, kryen arrestimin në flagrancë të shtetasve Bledar Bardhyl Lilo, 28 vjeç, lindur në Ersekë dhe banues Tiranë, me detyrë punonjës i kompanisë "Taçi Oil" dhe Irgen Arjan Selfo, 23 vjeç, lindur dhe banues në Tiranë. Sipas të dhënave zyrtare, të detajuara nga zëdhënësja Alma Katragjini, arrestimi i tyre u krye sepse dyshohet se në bashkëpunim me shtetasin Rezart Mustafa Taçi, 38 vjeç, lindur në Ersekë dhe banues në Tiranë, me detyrë president i kompanisë "Taçi Oil", në ambientet e brendshme të një lokali në rrugën "Brigada 8" në Tiranë, kanë goditur me grushte gazetarin Mero Guri Baze, 43 vjeç, lindur në Tepelenë e banues në Tiranë, me detyrë drejtor i medias së shkruar "Tema". I dëmtuari Mero Baze u dërgua menjëherë në Spitalin Ushtarak në Tiranë, ku pasi mori mjekimet e duhura, u largua për në banesë. "Më pas, shtetasi Mero Baze ka kryer një kallëzim penal, në ngarkim të shtetasve të lartpërmendur, ku ka deklaruar se është fyer e goditur për shkak të profesionit të tij si gazetar. Për shtetasin Rezart Taçi është bërë shpallja e tij në kërkim policor", deklaroi zyrtarisht Alma Katragjini. Më pas, ajo shpjegoi se në vendin e ngjarjes u kryen veprimet hetimore dhe procedurale, ndërkohë që materialet do t‘i kalojnë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprat penale të "goditjes për shkak të detyrës e kryer në bashkëpunim", parashikuar nga nenet 237 dhe 25 të Kodit Penal. Sipas Kodit Penal, në nenin 237 të tij, deklarohet se goditjet ose vepra të tjera dhune që i bëhen punonjësit që kryen një detyrë shtetërore apo një shërbim publik, për shkak të veprimtarisë së tij shtetërore apo të shërbimit, dënohen me gjobë ose me burgim deri në tre vjet. Ndërkaq, në vendin e ngjarjes ka qenë edhe gazetari Andi Bushati. Edhe ai ka dhënë deklaratën e tij në lidhje me këtë ngjarje të rëndë. Ndërsa Baze ka rrëfyer para oficerit të policisë gjyqësore momentin e goditjes për shkak të detyrës. Ai ka shpjeguar se të dyja palët ndodheshin në të njëjtin lokal dhe më vonë gjendja është agravuar, duke sjellë edhe sulmin ndaj tij.