E Diel, 1 Nëntor 2026

Karçanaj delegon kompetencat e AKSHI-t -Avokati i Agasit në SPAK, mohon përfshirjen në tendera

Pas vendosjes së masës së sigurisë “arrest shtëpie” nga SPAK, drejtoresha e AKSHI-t, Mirlinda Karçanaj, ka deleguar drejtimin e institucionit. Detyrat drejtuese do të ushtrohen nga Romina Kostani, ndërsa Karçanaj akuzohet për veprën penale “shkelje e barazisë në tendera”.

Në të njëjtën dosje është i përfshirë edhe biznesmeni Ergys Agasi. Avokati i tij, Maks Haxhia, u paraqit në Prokurorinë e Posaçme Antikorrupsion për të tërhequr dokumentet për klientin e tij.

Në një prononcim për mediat, Haxhia deklaroi se Ergys Agasi, i shpallur në kërkim nga SPAK për veprat penale “Konkurrencë e paligjshme nëpërmjet dhunës”, “Shkelje e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike” dhe “Heqje e paligjshme e lirisë”, ndodhet aktualisht jashtë vendit për shkak të angazhimeve të biznesit.

Haxhia theksoi gjithashtu se në dosjen e Prokurorisë së Posaçme nuk ekziston asnjë provë që lidh Ergys Agasin me tenderët e AKSHI-t apo me rrëmbimin e një personi, duke iu referuar konkretisht rastit të biznesmenit Gerond Meçe.

Gazetare: Lusi Përgjegji

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›