E Hënë, 2 Nëntor 2026

Konfiskohen 3 milionë euro asete në Gjirokastër, nga karburanti te vilat në Lazarat

Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Gjirokastër ka finalizuar me sukses një hetim pasuror, duke çuar në konfiskimin e pasurive me vlerë totale rreth 3 milionë euro.

Subjekt i këtij vendimi është shtetasi me iniciale D.A., pasuritë e të cilit, sipas organit të akuzës, nuk justifikoheshin nga burime të ligjshme të të ardhurave.

Vendimi për konfiskim vjen si rezultat i hetimit pasuror nr. 2, të nisur në vitin 2019. Pas verifikimeve të detajuara, gjykata miratoi kërkesën e Prokurorisë për kalimin në favor të shtetit të një liste të gjatë pronash të paluajtshme, bizneseve dhe trojeve, të cilat shtrihen kryesisht në zonat e Kordhocës, Lazaratit dhe Grehotit.

Lista e pasurive të konfiskuara përfshin objekte biznesi si karburant, zyra, lokale, magazina, si dhe toka bujqësore e troje ndërtimi.

Lista e plotë e pasurive të konfiskuara:

Biznese dhe ndërtesa:

Karburant (148 m2) në Kordhocë;

Ndërtesë zyrave dy-katëshe (69 m2) në Kordhocë;

Lokal (94 m2) në Kordhocë;

3 Magazina me sipërfaqe të ndryshme (437 m2, 98 m2 dhe 542 m2) në Kordhocë;

Nyje betoni (55 m2) dhe shesh afrimi materialesh (424 m2) në Kordhocë.

Banesa dhe troje:

Banesë (120 m2) dhe shesh (600 m2) në Lazarat;

Truall (1500 m2) + ndërtim (23 m2) në Lazarat;

Truall (350 m2) në qytetin e Gjirokastrës;

Dy troje në Grehot (450 m2 dhe 1646 m2);

Dy troje të mëdha në Kordhocë (2224 m2 dhe 1608 m2);

Tokë arë (7000 m2) në fshatin Arshi Lengo.

Prokuroria e Gjirokastrës theksoi se ky operacion është bazuar në ligjin “Për Parandalimin dhe Goditjen e Krimit të Organizuar, Trafikimit dhe Korrupsionit nëpërmjet Masave Parandaluese Kundër Pasurisë”.

Në njoftimin zyrtar, organi i akuzës shpreh angazhimin e plotë për të vijuar me prioritet hetimet e grupveprave që lidhen me pastrimin e parave dhe pasurimin e paligjshëm, duke paralajmëruar sekuestrime të tjera në të ardhmen për këdo që nuk justifikon burimin e të ardhurave.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›