Kareco: Historia e Shqipërisë duhet rishkruar
Doktor Kareco, pse është e nevojshme të rishkruhet historia në Shqipëri?
Historia e shkruar, historia e shkruar në Shqipëri, sidomos për disa probleme të nxehta që lidhen me ekonominë, po edhe me politikën, është shkruar në kohën, kur në pushtet ishte komunizmi. Të gjithë në atë kohë shkruanin sipas asaj ideologjie. Pra, natyrisht që sot nuk është e mundur që të pranohet historia me atë këndvështrim. Dhe kam rastin të gjykoj për historinë që është botuar në vitin ‘84, Historinë e Shqipërisë e kanë kthyer, kanë ndërruar vetëm emrin, Historia e Popullit Shqiptar, por kanë bërë të njëjtin botim dhe kanë hequr vetëm parathënien, ku citoheshin Enveri, Marksi, Lenini, deri te Stalini. Pra, kjo është njëra anë që nuk është e drejtë dhe nuk pranohet në shoqërinë e sotme.
Dhe veç kësaj, a vuajnë botimet historike në Shqipëri nga mungesa e dokumentacionit dhe si është ky problem sot?
Një pjesë e historisë vuan shumë, shumë nga mungesa e dokumentacionit. Mos të themi pastaj që ka shumë arkiva që nuk janë hapur edhe për efekt të kohës. Ka arkiva të vendeve të tjera që nuk na lejoheshin. Pra, do të duhet detyrimisht që të rishikohet historia, të rishkruhet mbështetur në këtë dokumentacion. Dhe jo vetëm dokumentacionin e arkivave, po sot kemi fatin që kemi dhe shumë botime të tjera nga memoria e njerëzve që kanë vuajtur nëpër burgje nga dokumentet që kanë mbajtur dikur nëpër familje. Pra, ky është një dokumentacion i pasur dhe unë kam pasur rast të lexoj, madje edhe botime. Tani ka edhe shumë dokumente që mund të përdoren për të shkruar historinë.
Doktor Kareco, para pak çastesh ju përmendët botimin e historisë së popullit shqiptar, botim i vitit 2007, të cilin ju e kritikuat. Cilat janë ato çështje, ku ky botim çalon më tepër, sipas jush?
Po fakti është që historia e popullit shqiptar e botuar në vitin 2007 ka shumë kontradikta dhe mbi të gjitha ka shumë pasaktësi. Ka kontradikta, sepse nuk ka dokumentacionin përkatës, sidomos për problemin e ekonomisë, nga viti 1912, deri në vitin 1938. Nga ana tjetër, ka pasaktësi të llojit tjetër. P.sh., flitet për bujqësinë dhe nuk flitet për blegtorinë. Mirëpo, s’mund të diskutosh historinë e popullit shqiptar vetëm me pjesën e bujqësisë, kur dihet që blegtoria, të paktën për atë kohë, zinte pjesën më të madhe. Injorimi është, nuk e di si ta them, por edhe krim shkencor në njëfarë mënyre.
A ka paragjykime të figurave të ndryshme historike?
Ka paragjykime, jo vetëm për figura, por edhe për institucione. P.sh., unë vërej se thonë e ashtuquajtura Banka Kombëtare e Shqipërisë. Përse duhet ta quajmë e ashtuquajtura? Ajo ishte Banka Kombëtare e Shqipërisë. U krijua në një moment të caktuar, por që Shqipëria kishte shumë nevojë për të dhe ajo luajti një rol shumë të madh. A ka patur probleme? Natyrisht që ka patur. Po kështu, shpeshherë flitet në kohën e Zogut, në kohën e Zogollit. Tani, duam s’duam ne, historia është histori. Ai ka qenë në një moment të caktuar mbret i shqiptarëve. Pra, mbreti Zog duhet përmendur për mendimin tim. Dhe për probleme të kësaj natyre mirë është të shprehemi qartë. Ose kur vjen puna p.sh., te ndihma. Edhe sot e kësaj dite ne kërkojmë ndihmë për kërkimin e naftës, për kërkimin e mineraleve. Në atë kohë u ofruan shumë shoqëri amerikane, franceze, italiane. I përmendin, sikur ata na grabitën ne. Shkëputën, thonë në historinë e popullit shqiptar, koncesione. Jo, ata i morën sipas të gjithë legjislacionit në fuqi dhe Shqipëria në atë kohë, edhe sot, ka nevojë për marrëdhënie dhe investime të kapitalit të huaj.
Doktor Kareco, ju mendoni se duhet të ketë vetëm një variant zyrtar të historisë së Shqipërisë, apo mund të ketë pikëpamje të ndryshme dhe pastaj shoqëria le t’i seleksionojë vetë?
Kam mendimin që mundet të ketë variante të ndryshme, por thelbi duhet të jetë ajo që historia të shkruhet me metodologjinë e parimeve të demokracisë, lirisë, të shprehjes së lirë të mendimit, dhe të shkundjes nga ato gjëra që kemi përdorur në ato kohë, duke më përfshirë edhe mua. Në atë kohë e shkruanim ndryshe historinë, sepse ishim të detyruar. Sot, natyrisht, janë situata të tjera dhe nuk ka pse ta lejojmë një situatë të tillë, se nuk ka edhe ndonjë përfitim në fund të fundit.
Skandal me tekstin zyrtar “Historia e Popullit Shqiptar”*
Kam ndjekur me vëmendje e interes diskutimet në shtypin shqiptar lidhur me shkrimin, rishkrimin apo rishikimin e historisë. E shtyva shprehjen e opinionit për të qenë më konkret, pasi të lexoja kapitullin përkatës që lidhet me ekonominë, në një tekst shkollor për historinë, jo vetëm sepse ekonomia është profesioni im, por sepse kam punuar në vite nëpër arkiva e kam shkruar pikërisht për ato probleme që trajtohen në atë libër.
Konkluzionet që arrita, ishin surprizë. Ishte një skandal i vërtetë botimi ri i shitur si “origjinal”, nuk ishte veçse kopje e botimit “Historia e Shqipërisë”, vëllimi III, e vitit 1984.
Në të konstatova vetëm ndonjë shkurtim të papërfillshëm. Për habinë time, më tronditi “guximi” i autorëve, që jo vetëm nuk kishin asnjë ndryshim në konkluzione, gjë që edhe mund të pritej, por ruanin po ato tituj e nëntituj, po ato paragrafë e nënparagrafë.
Të paktën të kishte ndonjë ndreqje të karakterit redaksional pas kaq vitesh.
Kemi të bëjmë me një mashtrim të hapur të një grupi “profesorësh” nën ombrellën e Akademisë së Shkencave, tashmë të plakur e të dalë jashtë loje.
Autori i kreut që po diskutoj është profesor Kristo Frashëri, me të cilin personalisht nuk kam ndonjë problem. Natyrisht, ka ndonjë përjashtim. Së largu, duke ndjekur median vizive apo të shkruar, nuk puqem me opinionet e papjekura, shumë herë absurde dhe jo me gjuhën e një historiani me tituj e grada që quhen shkencore, që jep zoti Frashëri.
Si njeri më vjen sinqerisht keq që denoncimin dhe mendimet po i jap në kulmin e vlerësimit të tij si “Nder i Kombit”.
Unë kam një shqetësim: A duhet që Presidenti i Republikës t’i japë me dorë të lëshuar këta tituj “nderi” për ish- komunistët apo apologjetët e komunizmit, pa bërë më parë gjykimin serioz e zyrtar të krimeve monstruoze që komunizmi i solli popullit dhe vendit tim?
Nderi që kam për popullin, vendin tim, Shqipërinë, ku u linda, u rrita, u inkriminova dhe me vullnet u çinkriminova, më obligon të bëj këtë denoncim pa as më të voglën ndrojtje. Në librin e paraqitur ka vjedhje në mes të ditës, me miratimin e “kupolës” së asaj që ende nuk e kuptoj pse quhet Akademia e Shkencave.
Është vjedhje, sepse “guna e vjetër”, botimi vitit 1984, është paraqitur si “kostum i ri”, në librin që konsiderohet si origjinal i vitit 2007.
Krahas pasaktësive, manipulimeve, falsifikimeve, mungesës së seriozitetit, nivelit të ulët shkencor, mua si qytetar më shqetëson fakti se, të paktën në kreun që unë kam studiuar me vëmendje, ku kam kryer studime shumëvjeçare mbi bazën e dokumenteve arkivore dhe që përputhet me profesionin tim, duket qartë metodologjia marksiste-leniniste e enveriste e trajtimit të historisë.
Në këtë libër, në qendër kuptohet është argumentimi “shkencor” që “profesorati” i bën luftës famëkeqe të klasave që i solli kaq fatkeqësi vendit, nëpërmjet krimeve që rrodhën si lumë.
Mashtrimi i parë është se në botimin e vitit 2007 nuk është riprodhuar “Hyrja” e gjatë e botimit të vitit 1984, ku citohej se në themel të studimit të historisë qëndron teoria marksiste-leniniste, pa harruar edhe Stalinin.
Në faqen 14 të këtij botimi, të njëjtët autorë krenohen se: “Gjatë përgatitjes së këtij vëllimi, për trajtimin marksist-leninist të proceseve ekonomike-shoqërore, autorët janë mbështetur në veprat e Marksit, Engelsit, Leninit, Stalinit e te veprat e shokut Enver Hoxha”.
Natyrisht, boshti i studimit janë veprat e kriminelit Hoxha. Në faqen 14 të po atij libri të inkriminuar, ata pohojnë se: “Historiografia nxjerr mësime të rëndësishme të karakterit metodologjik. Këto vepra janë model i trajtimit marksist-leninist të përvojës konkrete historike, shembull i zbatimit të materializmit dialektik e historik në shkencat shoqërore dhe në mënyrë të veçantë në shkencat historike.”
Duke hequr vetëm “Hyrjen”, që jep çelësin magjik të interpretimit komunist të historisë, profesorët tanë heqin vetëm citatet e “klasikut” të tyre dhe lënë të ekspozuar gjithë trajtimin enverist të historisë së kësaj periudhe.
Jo vetëm për nivelin aspak shkencor të këtij kreu, për pasaktësitë, mungesën e dokumentacionit arkivor, por në radhë të parë e kryesisht për trajtimin me metodologjinë komuniste-enveriste, ky libër duhet të hiqet nga qarkullimi.
Nuk kemi të drejtë që të lejojmë një grup njerëzish të inkriminuar, qoftë me tituj e grada shkencore, të manipulojnë mendjen e brezit të ri me ideologjinë marksiste-enveriste.
Meqë botimi bëhet nga një institucion shtetëror, sikundër është Akademia e Shkencave të Shqipërisë, ndërhyrja e parë për hedhjen në “koshin e plehrave” të librit, do të duhet të bëhet nga qeveria që emërtohet demokratike.
Më ka bërë përshtypje në një intervistë se zoti Frashëri iu përgjigj me siguri pyetjes: “Si arritët të mbijetonit, meqenëse ishit edhe nga të parët e përjashtuar?”, duke nënkuptuar përjashtimin nga Partia Komuniste, dhe theksoi: “Kam shpëtuar në sajë të 250 lekëve... bleva një dry dhe ia vura gojës… Lashë politikën.”
E la politikën e hapur për të futur me mjeshtëri thelbin e asaj politike në histori, pasi kishte marrë garanci nga diktatori Hoxha. Ai në një takim i tha: “Ke hyrë tamam në fushën që duhet, në histori” (Intervistë e K. Frashërit, botuar në gazetën “Koha Jonë”, 21 tetor 2007).
I përmenda këto, sepse natyrshëm rrjedh konkluzioni – me ndërgjegje, tani që nuk ka nevojë për “dryna”, profesori sërish përhap atë ideologji që mori mijëra jetë, la të lëngonte një popull në dekada.
Këtë “gunë” tërë arna, me mballoma që nuk i dihet origjina, pra këtë material, me ndonjë ndryshim, profesori e ka paraqitur rreth katër dekada më parë. Iu bënë shumë vërejtje, jo vetëm nga unë që isha në hapat e para të punës shkencore, por nga një pjesë jo e vogël e punonjësve mësimorë- shkencorë të Fakultetit të Ekonomisë në Universitetin e Tiranës. Nëpërmjet universitetit ato u përcollën zyrtarisht.
Isha i ri atëherë dhe më çudiste fakti sesi një njeri nuk përfillte asnjë mendim shkencor të një institucioni. Natyrisht, vërejtjet, opinionet, sugjerimet ishin të karakterit shkencor, pra, jo ideologjik. Në ato vite, të gjithë ne përdornim të njëjtën metodologji dhe ideologji. Vërejtjet ishin konkrete dhe bëheshin nga njerëz që kishin punuar nëpër arkiva për problemin që shqyrtojmë.
E kam të vështirë nga t’ia nis këtij labirinti apo lëmshi interpretimi ideologjik të gabuar me dashje, pasaktësive deri ordinere, kësaj paraqitje keqdashëse e jo profesionale të historisë së popullit tim.
Natyrisht, diku do të nis, shqetësimi im është mos mërzis lexuesin me argumente shkencore, me shifra, dokumente arkivore. Pra, më falni për zgjatjen, kur bëhen denoncime, gjithmonë duhen dhe prova, argumente, gjykime shkencore.
Gjithë meraku i historiografisë komuniste, pra, edhe i autorëve është paraqitja me ngjyra sa më të nxira, sa më frikësuese i “gogolit” “çifligar”. Këtu qëndron një ndër boshtet thelbësore të mashtrimit, që do të çojë dora- dorës në justifikimin e luftës së klasave, luftës civile, justifikimin e grabitjes së pronës në mes të ditës.
Autori, si pa dashje, sa nuk kritikon qeverinë e parë pas pavarësisë, të kryesuar nga Ismail Qemali, pse nuk ishte “komuniste”. Ai thekson se: “Shteti i ri shqiptar nuk e preku pronësinë çifligare (jo vetëm çifligjet private, por as çifligjet vakëfe e shtetërore)” (faqe 112 e librit që denoncojmë).
Të arrish në këtë konkluzion për atë periudhë, kur shtroheshin probleme të tjera për zgjidhje, është jo vetëm jashtë realitetit historik, por edhe një marrëzi e radhës. Si mund të shtrohej, pa le të veprohej për cenimin e pronës që është gjëja më e shenjtë?! A mund të pretendohej të bëhej “reformë” në ato vite që luftohej në shumë drejtime për konsolidimin e shtetit të parë shqiptar dhe që në fund të fundit për shumë e shumë vjet nuk u arrit?
Shkaqet ju i dini më mirë se unë. Madje, një bashkautor i këtij libri shprehet qartë, kur bën analogjinë me shtetet fqinje pas çlirimit nga sundimi osman. Në faqen 195, profesor Muin Cami nënvizon se: “Në Shqipëri pronarët e tokave ishin vendas, prandaj Shpallja a Pavarësisë nuk mund të sillte shpronësimin e tyre”.
Edhe pas katër dekadash nuk ke ndrequr të paktën konceptet shkencore për klasifikimin e tokës.
Na thua që pronësia çifligare në vitin 1912 kapte një sipërfaqe prej 210.000 hektarësh, rreth 55 për qind të tokës së punueshme. Unë nuk besoj pothuaj në asnjë shifër që jepni në libër, për faktin e thjeshtë se nuk ke përdorur dokumentet arkivore dhe duke përtuar ta bësh këtë, ke injoruar botimet që janë bërë me dokumentet arkivore dhe që pothuaj t’i japin “llokum” faktet dhe numrat më të shumtë që të duhen për këtë qëllim.
Më vjen rëndë të të pyes, por ç’kupton me tokë të punueshme? Statistika zyrtare, edhe ajo që quhej komuniste, e klasifikonte sipërfaqen e tokës së përgjithshme në: 1- tokë bujqësore që përfshin a-tokën nën kulturë, b-livadhet, c-kullotat; 2- pyje dhe 3 -tokë e pafrytshme. Po të jetë se toka, që e quan “çifligare”, zinte mbi gjysmën e tokës së punueshme apo nën kulturë, atëherë je gabim dhe mashtron për qëllime të caktuara. Ende në vitin 1929 toka nën kulturë mezi i arrinte 155.000 ha. Pra, është absurditet. Por edhe si pjesë e tokës bujqësore që në ato vite ka qenë mbi 1.1 milionë hektarë nuk mund të zërë rreth gjysmën, sepse po të pranojmë për një çast numrat e sajuar që jepni, prona çifligare duhej të ishte mbi 500.000 ha. Edhe kur përpiqeni të gënjeni, bëjeni disi me marifet. Por, dihet postulati juaj: Qëllimi justifikon mjetin.
Nuk e kuptoj më atë që thoni po aty se shteti shqiptar “nuk preku as marrëdhëniet agrare që trashëgoi nga sundimi osman” Me kaq sa kam njohuri, shteti i pavarur ishte një shtet demokratik, ai nuk mund të diktonte. Le që nuk pati as kohë.
Marrëdhëniet agrare feudale, apo çifligare siç iu pëlqen t’i quani, ishin përmbysur që në Perandorinë Osmane aty nga viti 1840. Mbeturina natyrisht ka patur. Kjo ndodh, kur kalohet nga një rend apo situatë në tjetrin. Marrëdhëniet përsosen në rrugë evolucionare, ato i dikton ekonomia e tregut, shoqëria kapitaliste, ku Shqipëria kishte hyrë pa kthim. Ato janë marrëdhënie që nuk bëhen me sforcime, me revolucione klasore. Natyrisht, ka raste, kur edhe shteti nëpërmjet levave të tërthorta mund të ndikojë në drejtime të caktuara. Por, t’ia kërkosh këtë qeverisë së drejtuar nga Ismail Qemal Beu, është utopi.
Me marifet, shumë marifet doni t’i tregoni botës dhe brezave që vijnë se, megjithëse ai që ju e quani “Revolucion i Qershorit 1924” u shtyp, në fund të fundit solli një “fitore” të madhe, pushteti fitoi tipare borgjeze.
Ju deklaroni se: “Me këtë zhvillim pushteti shtetëror deri atëherë çifligaro-borgjez, filloi dalëngadalë të përvetësonte në fund të viteve ’20 tipare kryesisht borgjeze”.
Këtu kemi të bëjmë me një varg problemesh e mashtrimesh. Në radhë të parë këmbëngulni që vetëm me ndikimin e këtij “revolucioni” u mënjanua klasa çifligare nga jeta politike. Njëherësh doni të argumentoni se ishin pikërisht marrëdhëniet midis çifligarëve dhe fshatarësisë së varfër që çuan në revolucion. Nuk e di, koha do të tregojë, nëse mund të quhet revolucion. Bindja ime është se jo. Megjithatë, nuk është ky objekt i denoncimit tim.
Mua më shqetëson përmendja e togfjalëshit “çifligaro-borgjeze”. Dihet se, në kohën kur komunistët ishin në pushtet, rendin e paraluftës e quanim “çifligaro-borgjez”. Ishte pjellë e diktatorit, nuk kishte guxim njeri ta kundërshtonte, veçanërisht me shkrim e në publik. Dihen mirëfilli sistemet apo rendet ekonomike. Komunistët shtuan dhe “rendin komunist” që ishte utopi. Koha e tregoi. Por ta konsiderosh një rend as mish e as peshk, d.m.th., as çifligar, megjithëse renditet i pari dhe as borgjez, d.m.th., çifligaro- borgjez, është një absurditet.
Doni apo nuk doni ju profesor, rendi ekonomik në Shqipëri ishte futur në rrugën e marrëdhënieve kapitaliste, të ekonomisë së tregut si në industri, bujqësi dhe në degët e tjera të ekonomisë kombëtare.
* Pjesë nga studimi që profesor Kareco botoi në gazetën “TemA” para disa kohësh në lidhje me këtë tekst zyrtar, që në fakt përbën një skandal, edhe për faktin se nuk është i vetmi që përmban të tilla falsifikime, keqinterpretime dhe dogma politike të asaj periudhe