Ndërtimi i rrugëve dytësore shtyhet nga 2009 në 2013
Drejtori i FSHZH, Benet Beci, në fjalën e mbajtur me këtë rast tha se, “vitet e fundit FSHZH ka punuar shumë në drejtim të cilësisë së punimeve dhe transparencës për krijimin e ambientit për një konkurrence të barabartë. Ne jemi të bindur që nëpërmjet këtij projekti, duke paraqitur cilësitë më të mira të fituara në vite, së bashku me ju, do t'i japim vendit rrugë rurale dhe rajonale me standarde dhe cilësi bashkëkohore”, - tha Beci.
Më pas u vazhdua me prezantimin e përgjithshëm të projektit, specifikimet teknike të rrugëve dhe procedurat e prokurimit. Takimi është pjesë e një cikli konsultimesh që po kryhen në vazhdim me të gjithë aktorët dhe pjesëmarrësit në këtë projekt, duke nisur nga donatorët, pushteti vendor, përfituesit etj. Nëpërmjet këtij takimi synohet gjithashtu rritja e transparencës dhe shtimi i shanseve për konkurrencë të barabartë gjatë procesit të prokurimit, me qëllim garantimin e një produkti cilësor dhe sa më funksional për komunitetet që do përfitojnë prej tij. Ky projekt ka si qëllim përmirësimin e aksesit në shërbimet bazë dhe mundësitë e zhvillimit ekonomik për popullsinë rurale, përfituese në zonat e rrugëve të rehabilituara. Projekti është parashikuar të përfshijë deri në 1500 km rrugë rajonale dhe lokale. Në projekt do të përfshihen një sërë donatorësh si Banka Botërore, Bashkimi Evropian, Banka Japoneze për Zhvillim Ndërkombëtar, Banka për Zhvillim e Këshillit të Evropës, Banka Evropiane për Rindërtim e Zhvillim, Banka Evropiane e Investimeve, gjë që mund ta bëjë edhe më të ngadaltë ecurinë e tij.