E Shtunë, 31 Tetor 2026

Karla Bruni i jep Sarkozisë vajzën e parë

Sipas BBC-së e cila citon dëshmitarët okularë, Presidenti francez ka mbërritur në klinikën “La Muette” disa orë pasi vajza e tij e parë kishte ardhur në jetë. Sarkozi kishte vizituar klinikën më herët gjatë ditës, por më pas u largua për në Gjermani ku do të merrte pjesë në bisedime për krizën e eurozonës.

“Pallati Elysee” tha se nuk do të bënte ndonjë njoftim për shtypin duke qenë se shtatzënia është një çështje familjare.

Agjencia franceze e lajmeve “AFP” tha se një anëtar i afërt i familjes së Brunit e ka konfirmuar lindjen, por nënvizoi se deri më tani nuk është bërë publik emir i vajzës së porsalindur.

Italiania Karla Bruni-Sarkozi është bashkëshortja e parë e një Presidenti francez që lind gjatë kohës që bashkëshorti i saj është në postin më të lartë të shtetit. Sarkozi, përveçse është Presidenti i parë që bëhet me fëmijë gjatë kohës që është në detyrë, po ashtu ishte i pari që u divorcua dhe u martua (2008) gjatë kohës që kishte mandatin e Presidentit të Francës.

Më parë Bruni kishte theksuar se kurrë nuk do të bënte publike fotot e bebes, pasi “ekspozimi në publik është një zgjedhje që duhet ta bëjë një i rritur”.

Dëshmitarët okularë jashtë klinikës thanë se një kordon sigurie është vendosur 100 metra larg Klinikës. Edhe personat që kanë vizituar gratë e tjera që kanë lindur janë kontrolluar më parë nga forcat e policisë./Start/F. Prroni/

                                                                                             2011-10-20 09:55
   

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›