E Shtunë, 31 Tetor 2026

Karma i Berishës dhe Edi Ramës

Kush vendos të dalë në shesh e të protestojë duhet të ketë kurajo. Politika moderne tashmë e ka mëse të verifikuar këtë në dhjetëvjeçarët e fundit: nuk mund të bëhen më protesta në shesh dhe s’mund t’u kërkohet njerëzve të bashkëngjiten mitingjeve kur organizatorët nuk e kanë kurajon e duhur. Kush ka tentuar ta bëjë, operacioni i është shndërruar në një bumerang duke dënuar me zhdukje levizjen politike që e ka ndërmarrë. A e ka opozita shqiptare, Partia Socialiste në këtë rast, ide dhe objektiva të qarta? Me mirëbesim dhe me të drejtën edhe të partive të vogla që sot s’ekzistojnë, le të rinumërohen votat e ta marrim të mirëqënë këmbënguljen e minorancës. Eshtë e vetmja mënyrë për të larguar dyshimet që sa vijnë e shtohen. S’ka gjë më të keqe kur një popull mban në kurriz një thes me pikëpyetje: vrasje që kanë mbetur ende dyshime, tragjedi që kanë mbetur ende pa përgjigje, të drejta që kanë mbetur ende në mjegull, skandale financiare ende të padënuara. Po bëhen vërtetë shumë. Opozita është në situatë më të dizfavorshme sot dhe pikërisht ky pozicion e dyfishon të drejtën për të marrë vesh nëse vërtetë në kuti ndodhi mashtrimi, manipulimi, grabitja, që do të ishte më e shëmtuara e grabitjeve në vend; por opozita, Partia Socialiste, duhet të gjejë kurajën të denoncojë, protestojë dhe për të tjera padrejtësi të bëra jo vetëm ndaj Partisë, por dhe ndaj vendit.
Kush njeh budizmin, kush di c’është karma dhe veprimi i saj në kohë e hapësirë, beson në pluset dhe minuset që individët marrin gjatë jetës së tyre si shkak i veprimeve të mira apo të gabuara të bëra në jetët të mëparshme; kështu mund të shpjegohen absurditetet që po ndodhin në Shqipëri? Berisha i duartrokitur në Kosovë dhe Rama që i kërkon duartrokitjet në sheshin e Tiranës, presin rezultatet e karmës sipas budistëve dhe të veprimeve që kanë bërë në të shkuarën individualisht. Edhe sot e kësaj dite Rama duhet të punojë shumë për të treguar se meriton vërtetë të çojë njerëzit në shesh.
(s.g/BalkanWeb)

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›