Magjia në kuti
Medias në Shqipëri i është dashur shpesh të merret me opozitën, si në kohën kur në opozitë ishte Berisha me partinë e tij edhe tani, në kohën e Edi Ramës. Kryesisht vëmendja e gazetarëve përqendrohet ndaj Qeverisë apo partisë në pushtet, për të vigjëluar ndaj abuzimeve të mundshme në kurriz të njerëzve, por ja që ne ende nuk i kemi punët mirë. Koka kthehet herë majtas, herë djathtas, herë lart e herë poshtë; problemet janë të mëdha në 360 gradë të shoqërisë. Sot Partia Socialiste do të zgjedhë Edi Ramën kryetar. Pas humbjes së zgjedhjeve të 28 qershorit konstatoj se e njëjta mëndjelehtësi vazhdon të jetë në fuqi edhe në këtë proces të veshur gjoja me pëlhurë demokratike, por që në thelb nuk ndryshon aspak nga tradita alla shqiptare e zgjedhjes së liderëve. Në garë janë Edi Rama dhe kandidati dukshëm fiktiv Maqo Lakrori; por kjo është punë e partisë, edhe pse aty gatuhet alternativa më e mundshme opozitare shqiptare. Në këtë proces ra në sy mungesa e transparencës dhe më e dënueshmja dhe e papranueshmja, dëbimi i medias në disa rrethana në zhvillimin e debateve. Nuk mund të prezantohesh si një alternativë ndaj Sali Berishës para shqiptarëve, kur në një farë mënyrë bën të njëtat gjëra që bënte dhe bën ai. Pëlhura perëndimorë që shpaloset në formatin e zgjedhjeve në PS, është aq e arnuar dhe e panevojshme sa më mirë të mos ekzistonte fare. Në të gjithë fjalimet e këtyre ditëve, kryefjala e opozitës ka qenë rinumërimi I votave në kuti, sikur gjatë gjithë procesit zgjedhor opozita, media, vëzhguesit e të gjithë të pranishmit në proces të kishin pirë valium të hedhur në kafe e të zgjuar papritur, zbuluan se PS nuk kishte votat e duhura për të bërë Qeveri. Edi Rama gjatë gjithë kohës deklaronte dhe deklaron: E vërteta është në kuti, magjia është në kuti! Gabohet. Magjinë e vërtetë e bëri Berisha, që pasi injektoi në opinion rezultate sondazhesh, lexim rezultatesh nga KQZ dhe qendra e Celibashit (kunati i Mediut) të zonave fituese të PD-së fillimisht, i mbeti dhe puna më e lehtë: të magjepste Metën. Por të gjitha këto Berisha i bëri pasi kishte bërë magjinë më të mëdhe me Edi Ramën, ndaj magjia nuk është në kuti, sic thotë lideri I opozitës. Nuk e di në ndonjë hoxhë a prift mund ta shpëtojnë ende nga efekti i magjistarit Berisha, por shenjat janë ende të dallueshme: pa hequr këtë bela së pari nga vetja, Edi Rama e PS do të vazhdojnë të mos jenë ajo kolonë e fortë që opozita ka nderin të ketë në shoqëri.