E Shtunë, 31 Tetor 2026

Problemi mbetet i yni

Problemi i zhvillimit dhe i integrimit të Shqipërisë mbetet i yni. Pa dyshim vlejnë dhe janë pika referimi të domosdoshme raportet e ndërkombëtareve për situatën në vend, por pikësëpari ne duhet të shohim brenda vetes e të gjejmë atë ekuilibër që të huajt e kanë gjetur para nesh. Por a jemi ne duke shkuar drejt këtij ekuilibri? Personalisht mendoj se po. Megjithë kritikat që mund t’i bëhen opozitës aktuale sot dhe dëshirës së asaj pjese të civilizuar të vendit për të pasur një opozitë reale, të ndershme dhe të fortë, nuk mund të mohohet që kjo nuk është opozita e agresivitetit; nuk është opozita e dhunës, nuk është opozita e shpifjeve, pra ka limuar diçka në instiktet që jo shumë vite më parë kemi treguar se na çojnë në konflikt. Pozita? Mbtetet ajo e korrupsionit, klielintelizmit dhe me urinë që gjithmonë ka pushteti për t’u pasuruar në kurriz të njerëzve; por kjo uri, tipike e shtresave në pushtet e që synojnë të jenë të pasurit e rinj sipas rotacionit, mund të shuhet vetëm nëse krijohet një ekulibër mes të mirës dhe të keqes. A ka të kundërta që mund ta bëjnë këtë? Duhet ta bëjnë mediat, intelektualët dhe drejtësia, të cilët nga ana e tyre kanë probleme ekonomike që i joshin të devijojnë lehtësisht nga misioni ekuilibrues. Nëse sot nuk kemi ato rezultate që kemi dëshiruar (lëvizjen e lirë pikësëpari) kjo për arsye se të gjithë nuk kemi punuar mirë. Rikthehem të Lohan, Olli Rehn, apo të tjerë “misionarë” të lartë të BE. E keni vënë re ekulibrin e tyre? Vetëm në raste ekstreme konflikti të armatosur ata mund të “indinjohen”; në çdo rrethanë do të na thonë që kemi punuar mirë, por kemi shumë për të bërë. Tamam siç një mësues flet për një nxënës të dobët që nuk ka ndërmend ta dekurajojë në mësim e përmirësim. Ekstremet që ne vazhdojmë të tregojmë: në korrupsion, manipulime, bojkot, mungesë serioziteti, profesionalizmi, por dhe pasuri e varfëri, janë shenja të qarta se jemi ende shoqëri që s’kemi gjetur ekuilibrin e duhur e nuk kemi limuar akoma instiktet, gjë që arrihet vetëm me civilizim.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›