Qyteti i Shkodrës, mbrëmë ka festuar karnavalet, një ceremoni tashmë tradicionale.
Gjatë festimeve mbrëmjen e djeshme nuk mungoi në qytetin e saj të lindjes, tek “Karnavale 2013”, as Kryetarja e Parlamentit Shqiptar, Zonja Jozefina Topalli.
Ajo iu bashkua festës me bashkëqytetarët e saj, e shoqëruar edhe nga Ambasadorja e Frances në Tiranë, Zonja Kristinë Moro, si dhe autoritetet vendore, për mbi tre orë u përjetuan emocione të veçanta nga programi shumë i pasur artistik që ishte përgatitur nga organizatorët, Bashkia e Shkodrës, në bashkëpunim me Ministrinë e Turizmit, Kulturës, Rinisë e Sporteve dhe teatrin "Migjeni".
Kryeparlamentarja Topalli përgëzoi organizatorët për punën e mirë që po bëjnë çdo vit në ruajtjen e kësaj tradite të hershme, vlerësoi gjithashtu Karnavalet e Shkodres si më të veçantat de më të bukurat e Shqipërisë.
Siç transmetojnë mediat shqiptare, Topalli është shprehur: “Është një ndër festat më të bukura dhe më të vjetra të organizuara që në shekullin e kaluar dhe është për t'u përgëzuar kjo iniciative, kjo traditë arti për iniciatorët. Karnavalet e Shkodrës janë më të veçantat e Shqipërisë, më të bukurat, që e kanë kthyer këtë traditë në një festë të përvitshme të qytetarëve". /Indeksonline/