Karta e Studentit, ende në tentativë
Siç duket, kalvari i “vuajtjeve” të studentëve shqiptarë nuk ka përfunduar ende… Premtimeve “false”, dashur padashur iu shtua edhe një tjetër. Vite të tëra pritjeje. E ndërsa të gjithë u lumturuan që më në fund do të kishin në dorë një dokument identifikimi, të quajtur karta e studentit, gjithçka mbeti në “tentativë”. Kjo jo sepse një mjet i tillë nuk u prodhua ndonjëherë, por sepse ajo i rezistoi kohës për vetëm një vit. Edhe pse ky vit akademik përfundon pas një muaji, asnjë studenti nuk iu rinovua karta e tij. Kjo do të thotë që ky i ashtuquajtur mjet identifikimi ka dalë jashtë funksionit, një vit më parë. Duke marrë parasysh që vitin e kaluar në këtë dokument identifikues ishte i shkruar viti i studimit të studentit, këtë vit rrjedhimisht ajo kartë nuk mund të përdoret, pasi ka të përcaktuar qartë dhe dukshëm afatin kohor të jetëgjatësisë së saj. Përfitimet e tyre ishin thjesht të shkruara diku në një copë letër. Më 25 mars të vitit të kaluar, në Fakultetin e Historisë dhe Filologjisë u shpërndanë kartat e studentit për të gjithë të rinjtë. Në ceremoninë e shpërndarjes, veç të tjerash u bënë një sërë premtimesh, që do t’ua lehtësonin jetën të rinjve. Nga kjo kartë u premtua se do të ofroheshin një sërë lehtësirash, si në sektorin privat, ashtu edhe në atë publik. Premtim që habiti edhe vetë studentët, pasi përfitime në sektorin privat nuk ofrojnë as shtetet e zhvilluara të Europës për studentët e tyre. Ata arrijnë të kenë disa përfitime vetëm në sektorin publik, ku garant për pagesat e tyre del vetë shteti. Te ne ndodhi krejt e kundërta. Dekani i Fakultetit të Historisë dhe Filologjisë, Shezai Rrokaj, më 25 mars të vitit 2009, në ceremoninë e shpërndarjes së kartave të studentit, u pohoi të rinjve se lehtësirat që do t’u ofrohen do të përfshijnë si sektorin publik, ashtu edhe atë privat. Për fat të keq, kjo nuk ndodhi. Premtimet kishin të bënin me çmime më të ulëta për blerjen e biletave të kinemasë, biletave të avionëve, të muzeut, për reduktim të çmimeve në shërbimin shëndetësor publik dhe privat. është për të ardhur keq që një pikë kyçe si kjo, që prek drejtpërdrejt elitën e shoqërisë shqiptare, ka mbetur ende e pazgjidhur. Zëri i studentëve është i fundit që dëgjohet kur merren vendime, edhe pse realisht ato rëndojnë në kurrizin e tyre. Ekonomia e familjeve të tyre është tejet modeste, duke mos përfshirë këtu një pjesë të vogël të studentëve që punojnë, ose që jetojnë në Tiranë me familjet e tyre. Vetëm ata mund ta përballojnë jetesën e përditshme, pa u ngushtuar. Pjesa tjetër jeton në bujtinat e Qytetit Studenti, duke pritur ndihmat që u ofrojnë prindërit e tyre. Imagjinoni sa i vështirë mund të jetë përballimi i çmimeve që paguajnë çdo ditë ata që jetojnë në konvikte. Krahas nevojave të tyre, u shtua edhe një pagesë tjetër: 100 lekë të reja. Asnjë student nuk u rëndua nga kjo shifër “modeste”, por tani, siç shprehen edhe vetë ata, janë penduar që besuan përsëri se një ditë gjërat do të ndryshonin edhe për ta. Me kartën e studentit mund të paraqitesh kudo, por askush nuk do të ta vërë veshin, siç thotë edhe populli, në të tilla situata. Vetëm nëse shkon në bibliotekë, për t’u regjistruar apo për të marrë librin tënd të preferuar, bibliotekarja do të ta njohë duke mos të kërkuar të ndjekësh procedurat e zakonshme, si pajisja me një certifikatë apo një vërtetim, ku shkruhet që je duke ndjekur studimet e larta.
#