Lushnjë, hetimet për arkëtaren përfshijnë ndërmarrjet shtetërore
Hetimet për arkëtaren e bankës private do të shtrihen edhe në ndërmarrjet me të cilat ajo kryente transaksionet abuzive.
Ditët e ardhshme pritet të merren në pyetje drejtues të institucioneve te të cilat Ornela Tabaku, arkëtarja e arrestuar paraditen e së shtunës për vjedhje, realizonte lëvizjet e shumave të mëdha. Përveç drejtuesve do të merren në pyetje edhe drejtuesit e departamenteve të financës, si dhe specialistë të tjerë të këtyre departamenteve. Statusi i marrjes së tyre në pyetje nuk bëhet i ditur dhe sipas burimeve të prokurorisë së rrethit do të jenë hetimet ato që do të zbardhin nëse financierët dhe drejtuesit e institucioneve kanë pasur apo jo lidhje me abuzimet e Ornela Tabakut.
Për organin e akuzës mbetet i dyshimtë fakti që ndërmarrjet shtetërore, që kanë rënë pre e abuzimeve, nuk kanë vënë re lëvizjet financiare të kryera në fillim të vitit. Ndërkohë mësohet se, që prej ditës së shtunë, janë marrë në pyetje edhe disa kambistë të qytetit të Lushnjës. Objekt i pyetjes së tyre ka qenë lidhja e mundshme që mund të kenë pasur me 25-vjeçaren Tabaku, si dhe mundësia e një bashkëpunimi të mundshëm mes tyre dhe arkëtares. Dyshohet se lekët që arkëtarja merrte për një periudhë të shkurtër, i hidhte në tregun e zi valutor të qytetit, ku kishte mjaft të interesuar për marrjen e borxheve me përqindje. Dyshohet se Ornela Tabaku ka aplikuar një skemë kredie me afat të shkurtër dhe interes të lartë.
Numri i kambistëve të marrë në pyetje shkon në tre. Emrat e tyre nuk bëhen të ditur, por mësohet se një prej tre të pyeturve mund të jetë strumbullari i të gjithë mekanizimit në fjalë.
Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Lushnjë ka qenë në dijeni prej disa ditësh për rastin e Ornela Tabakut, arkëtares të filialit të bankës private, e cila akuzohet për “vjedhje duke shpërdoruar detyrën”, si dhe për “vjedhje të bankave”. Kreu i organit të akuzës në Lushnjë, Petrit çano, pohon për gazetën “Shqip”: “Tashmë që dosja i është deleguar prokurorisë, do të realizohet një hetim i imtësishëm i këtij rasti vjedhjesh, si dhe do të merren nën hetim të gjithë personat e përfshirë në këtë episod abuziv”. Nga ana tjetër, burimet zyrtare po të prokurorisë pohojnë se rrezja e përfshirjes së personave të tjerë në këtë rast dyshohet se është e gjerë. Kjo ka dalë edhe pas marrjes në pyetje të arkëtares 25-vjeçare, Ornela Tabaku.
Pas arrestimit, Tabaku ka preferuar të përfaqësohet me avokat, ndërsa nuk ka hezituar të flasë edhe për grupin e hetimit, si dhe për prokurorin e çështjes, që mësohet se është Arben Dyla. Ky i fundit është njohur fillimisht me procedurën e nisjes së hetimit, avancimin e tyre deri në momentin e prangosjes. Orë pas ore hetimet e tij po përparojnë, duke u përqendruar kështu në disa pista të dyshuara.
Ndërkohë, ditën e hënë pritet që 25-vjeçarja Ornela Tabaku të dalë përpara togave të zeza për masën e sigurisë.
#