E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sarandë, shërbim mjekësor pranë plazheve

Një grup infermierësh dhe ambulanca do të vendosen në zonat më të frekuentuara nga pushuesit

Bluzat e bardha të Sarandës do të ofrojnë shërbim mjekësor pranë plazheve. Lajmi konfirmohet nga autoritetet e Shëndetit Publik të qytetit bregdetar, të cilat deklarojnë se po synohet për të ofruar një shërbim shëndetësor pranë banorëve, por edhe për vizitorët e pushuesit e shumtë të kësaj vere. Masat janë në kuadër të parapërgatitjeve që po merren tri javë nga nisja e tureve të plota të pushimeve, në qytetin që synon të ofrojë 500 mijë pushues për verën e këtij viti. Shëndeti Publik duket se është i përgatitur më shumë se në çdo sezon tjetër, për të qenë i pranishëm me shërbimet e veta në plazhet publike, sidomos në Plazhin e Ri, të njohur si plazh familjar, me prani të fëmijëve të të gjitha moshave, por edhe në plazhet e tjerë, për të garantuar pushuesit se do të kenë një shërbim cilësor për çdo urgjencë mjekësore që mund të shfaqin gjatë pushimeve. Drejtori i Shëndetit Publik në Sarandë, Jani Qirjaqi, thotë se ky shërbim ka nisur që tani, por me një efekt tjetër. “Kontrollet tona kanë qenë të përsëritura, pasi nëpërmjet tyre kemi këmbëngulur dhe kemi arritur që të normalizohet pastërtia e rërës dhe e ujit të plazheve. Të mënjanohen filtrimet e ujërave të zeza, që deri këtë vit derdheshin në det etj.”, ka thënë Qirjaqi. Më tej ai ka shtuar se për të arritur në plotësimin e këtyre mangësive dhe në kapërcimin e problematikave, ndihmuan edhe organizimet vullnetare në kuadër të Javës së Mjedisit. Megjithatë, ajo që është arritur në paraprirje të sezonit konsiderohet vetëm si sfond, krahasuar me atë që programohet të organizohet në shërbim të plazhistëve, shërbimi shëndetësor. Fjala është për organizimin e shërbimeve me grupe të gatshëm infermierësh dhe një ambulance të ndihmës së shpejtë, që do të stacionohen në afërsi të plazheve më të frekuentuar. Po kaq i rëndësishëm është vlerësuar edhe organizimi i një sistemi komunikimi me repartin e urgjencës së spitalit, ku do të ndihmojë edhe vënia në dispozicion e një numri telefoni fiks dhe një celulari, nga komunikimi me të cilët ofrohet marrja e shpejtë e shërbimit shëndetësor. Mjeku infeksionist Aleks Prifti thotë se nuk është nënvleftësuar aspak edhe kontrolli i higjienës së ujit të pijshëm, për të cilin po merren kampionë disa herë në ditë për të analizuar cilësinë e tij. Ndërkohë po punohet për arritjen e standardeve të higjienës së lokaleve të shërbimit, sidomos ato që ngrihen përgjatë shëtitores dhe në afërsi të plazheve, që përgatiten të presin dhe përballojnë një numër të madh pushuesish gjatë kësaj vere.

#

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›