E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kartat, Meta:Qeveria të subvencionojë të varfërit

Gjatë aplikimit të tij për pajisjen me kartë identiteti kreu i LSI-së Meta, i ka bërë thirrje qeverisë që të subvencionojë familjet që janë në kushte të vështira ekonomike për marrjen e kartës. Meta ka mohuar një koalicion me Berishën. 

TIRANE- Kreu i partisë Lëvizja Socialiste për Integrim Ilir Meta, i bën thirrje qeverisë për subvencionim të shtresave në nevojë që e kanë të pamundur të përballojnë koston për tu pajisur me karta identiteti.
“Ftoj të gjithë shqiptarët që të marrin pjesë në mënyrë intensive në këtë proces. Gjithashtu i kërkojë qeverisë shqiptare që të subvencionojë në maksimumin e mundshëm të gjithë ato shtresa të shoqërisë që janë në një gjendje të rënduar ekonomike për shkak të ardhurave të pakta dhe të rritjes së kostos së jetesës”- u shpreh kreu i LSI-së Meta.
Gjatë aplikimit të tij për kartë identiteti, Meta ka përsëritur edhe njëherë mundësinë e bashkëpunimit me Partinë Socialiste pas zgjedhjeve parlamentare të 28 qershorit.
“LSI-ja, ka qenë forca më kritike dhe më opozitare ndaj qeverisë Berisha që nga tragjedia e Gërdecit edhe ne vijmësi, po kështu ka qenë forca më e qartë që është në funksion të fitores të së majtës dhe forcave progresiste në 28 qershor dhe asnjëherë askush nga përfaqësuesit e LSI-së nuk ka lënë për të kuptuar se mund të ketë një koalicion me Sali Berishën përkundrazi”- theksoi Meta.
Ndër të tjera ai shtoi se ka mëse një vit që objektivi i forcës që ai drejton është nxjerrja në pension politik e kryeministrit Berisha, “këtë do ta arrijmë me votë përmes zgjedhjeve të ndershme dhe të lira”- tha Meta. (a.r/balkanweb)



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›