E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kartolinat - urimet nga një tjetër kohë!

Çdo ditë e më shumë kartolinat po bëhen pjesë e nostalgjisë. Të mbushura me motive, por edhe me shprehje tipike urimesh, ato nuk janë më pjesë e vitrinave në dyqane, nuk futen nën derë dhe as shkëmbehen dorazi. Në kohën e internetit, kartolinat janë tashmë një komunikim virtual. Në një rrugëtim vite më parë, përmes pamjesh dhe fjalësh, shohim si kanë uruar shqiptarët

Sa shumë më mungon rrapëllima e derës. E dalloj në hapa kur ngjitet shkallëve lart. Nuk e kam fjalën për të dashurin, por për postierin, i cili deri vite më parë, gjatë çdo feste ishte miku më i mirë. Sot nuk ka punë për të ose shumë rrallë shfaqet te dyert tona. Kartolinat e dikurshme që hynin nën pragun e derës sot dërgohen vetëm me një “klik”. Madje, vetë Babagjyshi i Vitit të Ri është “modernizuar”. Ai mundet të qeshë, të flasë e të kërcejë për ty që përtej kartolinës që shfaqet në monitorin e kompjuterit. Nuk të duhet të marrësh më as penën, as të mendosh poezinë që do të dukej më bukur në faqen e pasme, aty ku shkruhet urimi. “Fryu era nga përjashta\ tundi perdet e mëndafshta\ mos kujto se të harrova\ kartolinën ta dërgova”.

Të tilla vargje, ku mbi germa mëshoheshin lapsat me ngjyra, qarkullonin çdo vit. Teksa kartolina herë-herë kalonte dorazi, sytë kërkonin reagimin e tjetrit. Kur vargjet e zgjedhura tingëllonin të gjetura, ajo copëz kartoni mbi të cilën ishin stampuar pamje të ndryshme, merrte tjetër vlerë. Këto janë kujtime jo të largëta. Diku në kapërcyell të viteve ’90. Sot, kur teknologjia bën çudira mund të tingëllojnë edhe naive. Por ishte një ritual i përjetuar gëzueshëm çdo ndërrim vitesh. Kohë më vonë për to mund të thuhet edhe “Na ishte njëherë...”. Nuk do duhen më porosi, nuk do duhet më hapësirë për t’i ekspozuar dhe as kohë e mendje për t’i shkruar. Çdo gjë tani e merr gati veç me të shtypurën e një butoni. Disa shekuj më parë, në atë Shqipëri që përshkruhej nga udhëtarët e Perëndimit, me siguri do të thoshin se këto janë punë të djallit.

E nëse shtyhemi pak më tej se përjetimet vetjake, në historinë e kartolinës shqiptare, e gjejmë atë në kohën e diktaturës. Madje, ajo që trashëguam pas viteve ’90 ishte një zgjatim pa rregulla të qarta i një tradite të ardhura nga këto vite. Me vite që ndjekin njëri-tjetrin janë renditur në albume. I shfletojmë në shtëpinë e koleksionistit Shpëtim Sala, ku atmosfera e fundvitit përcillet më së shumti përmes nxitimit të zonjës së shtëpisë për të shtruar bakllavanë. Janë të shumta në numër. Po ashtu në motive. Punëtorë të qeshur, uzina, kostume popullore, detaje nga objekte etnografike, pamje pikturash që evokojnë bujqësinë, industrinë, fushat e mbjella e të korrura, lavdinë e Partisë... I takon vitit 1970 një kartolinë ku pushka dhe kazma qëndrojnë ngjitur njëra-tjetrës. Janë idealet e mëdha. Nuk mund të mungojnë.

Shkrimet e pjesës së pasme janë një histori më vete. Diku të dallueshme e diku jo, të zgjojnë kërshërinë. “Shoqes time të dashur..., Ju urojmë shëndet e lumturi...\ suksese në punë.... Të thënat shkojnë edhe më tej : “Fitore të mëtejshme në realizimin e planit ekonomik të rrethit” apo “Suksese në punë për të mirën e Partisë e të popullit tonë”. Një qeshje shpëton natyrshëm në të tilla citate, ndërsa Sala i mësuar t’i shohë shpesh shpjegon se edhe kartolinat janë një mjet i propagandës së kohës. “Ato shërbenin për t’i motivuar njerëzit, për të propaganduar arritjet në bujqësi e industri”.

E dallueshme kjo sidomos pas viteve ’70. Veç babagjyshave, fëmijëve të gëzuar, luleve, kambanave të takon të hasësh edhe një miush mjaft të ngjashëm me Xherrin e filmit vizatimor ‘Tomi & Xherri” që besojmë se u takon vetëm fëmijëve të lindur vonë. Dërgesat përfshijnë të gjitha qytetet e Shqipërisë. Gjen mes tyre edhe ndonjë emër të njohur. I tillë është emri i shkrimtarit Dhimitër Shuteriqi. Përtej ngarkesave emocionale që të shkaktojnë motivet, por edhe fjalët e shkruara pas, Shpëtim Sala të tregon një histori të vërtetë të kartolinës në Shqipëri. Të atyre të bëra posaçërisht për Vitin e Ri, por edhe të tjerave. Në koleksionin e tij kartolinat më të hershme i takojnë vitit 1930.

Dallojnë dukshëm. Janë punime grafike të një cilësie mjaft të mirë, plot ngjyra e në raste edhe me reliev të dallueshëm në prekjen me dorë. “Për shumë mot vjeti i ri”, “Për shumë vjet”, “Për shumë vjet gëzuar” e madje edhe “Pashkët gëzuar”, “Gëzuar Kshnellat” shkruhen me shkronja të arta. Nga pas shënohet edhe vendi i prodhimit: Gjermani, Itali, Austri, Francë... Bëheshin me porosi të tregtarëve shqiptarë e shiteshin në librari-kartoleri të posaçme.

Nga pas kanë shënime të thjeshta. Urime intime pa ngjyresa partish. Kartolina të tilla duket se vijnë nga një tjetër botë. Nga ajo që vitet e hershme na i kanë sjellë në përfytyrime të errëta e ku detaje të tilla nuk hamendësoheshin. Gjithsesi, një rrugëtim në këto kartolina është një rrugëtim në botën shqiptare dhe mënyrën e saj të të festuarit. /gazetashqip/

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›