Thyerja e bojkotit

Ky vit do të mbahet mend edhe për thyerjen e bojkotit të bashkëpunimit mes komunitetit serb dhe institucioneve kosovare. Pavarësisht thirrjeve, por edhe kërcënimeve nga liderë serbë në Beograd dhe Kishës Ortodokse, shkalla e lartë e pjesëmarrjes së serbëve në zgjedhjet lokale të Kosovës, të parat pas shpalljes së pavarësisë, ka befasuar edhe optimistët më të mëdhenj.
Merita për këtë kthesë është edhe e faktorit ndërkombëtar në Prishtinë dhe institucioneve të Kosovës. Ata kanë bërë çmos të thyejnë murin mes serbëve dhe institucioneve kosovare, i ndërtuar për vite me radhë, veçanërisht nga Qeveria e nacionalistit Vojislav Kostunica.
Mirëpo, pjesëmarrja e konsiderueshme e serbëve në votimet e 15 nëntorit dhe 13 dhjetorit në radhë të parë është meritë e Partisë Liberale Serbe (SLS) dhe liderit të saj, Slobodan Petrovic.
Presioni i përfaqësuesve të Beogradit në Kosovë që serbët të bojkotojnë çdo kontakt me Prishtinën ishte shumë i fuqishëm. Në nëntor 2007, një nga këta emisarë ka kërcënuar serbët e Klinës me likuidim nëse shihen te kutitë e votimeve.
SLS’ja është parti që ofron opsionin politik qytetar proeuropian. Ajo është themeluar në vitin 2006 nga Pterovic, i lindur në Prishtinë. Me profesion është jurist, ndërkaq për 15 vjet rresht është marrë me futboll.
Ai nuk ka qenë anëtar i asnjë partie politike serbe. Për herë të parë emri i tij është dëgjuar në tetor të vitit 2004, kur është kurorëzuar në themelet e kishës së djegur “Shën Nikolla” në Prishtinë. Kumbara i tij në këtë ceremoni të pazakontë ka qenë Oliver Ivanovic, tani zyrtar i Ministrisë serbe për Kosovën. Mediat serbe kanë spekuluar shumë herë se Ivanovic qëndron prapa Petrovicit dhe partisë së tij, por ky i fundit e ka quajtur këtë si të pavërtetë.
Kryetari i SLS’së ka kritikuar në vazhdimësi politikën e Beogradi ndaj serbëve të Kosovës, veçanërisht kur kreator i kësaj politike ishte Slobodan Samardizic. Partia Liberale ka mbrojtur opsionin që serbët të marrin fatin në duart e veta.
Në zgjedhjet e fundit, SLS’ja ka arritur të dëshmojë se është partia më e madhe dhe përfaqësuese legjitime e serbëve që jetojnë në jug të lumit Ibër. Por një sfidë e madhe mbetet thyeja e bojkotit të serbëve që jetojnë në pjesën veriore të vendit, të cilët ende janë nën kontroll të fuqishëm të strukturave paralele.
SLS’ja ka arritur të fitojë dy komuna në raundin e parë të zgjedhjeve lokale. Për kandidatin e saj, Bojan Stojanovic në komunën e re të Graçanicë kanë votuar 2,219 votues, përkatësisht 60.94 për qind e elektoratit. Në asamblenë e re komunale janë 12 këshilltarë nga radhët e liberalëve nga gjithsej 19.
Në komunën tjetër të krijuar sipas Planit të Ahtisaarit, në Kllokot, ka fituar kandidati tjetër i SLS’së, Sasa Mirkovic, me 65.42 për qind. Kjo parti ka shumicën edhe në Kuvendin Komunal, 10 nga 15 këshilltarë.
Në komunën e Shtërpcës është zhvilluar një garë e fortë mes kandidatit të liberalëve serbë dhe kandidatëve të partive shqiptare. Në të dyja raundet e zgjedhjeve, për shkak se votat e shqiptarëve u shpërndanë në disa parti, i pari ka dalë Bratislav Nikolic i SLS’së.
Në balotazh ai është përballur me Beqir Fejzullahun e PDK’së, por doli fitues me 65 për qind të votave.
Zyrtarë të SLS’së kanë paralajmëruar se në Shterpcë do të bëjnë koalicion me PDK’në për të krijuar shumicën në Kuvendin Komunal.
SLS’ja ka pushtet edhe në komunën e re të Ranillukut, ku votat për kryetar komune i ka fituar përfaqësuesi i një iniciative qytetare, Gradimir Mikic, por ai ka garuar në koalicion parazgjedhor me liberalët.
Partia Liberale Serbe ka marrë vota edhe në komunën e Gjilanit, Obiliqit, Rahovecit dhe Vushtrrisë, por nuk i kanë mjaftuar të fitojë asnjë ulëse në asambletë komunale.
Kjo parti është e pjesë e Qeverisë së Kosovës dhe udhëheq dy ministri.