Karvani i Bajronit ndalet në Antigone
Ekspedita
Itinerari historik nëpër Shqipëri që poeti anglez Lord Bajroni përshkoi në vitin 1809, së bashku me mikun e tij J.C.Hobhouse prej tre vjetësh është kthyer në një paketë turistike të pagëzuar Karvani në gjurmët e Bajronit. Turistë nga Britania, Kanadaja dhe Australia janë më të interesuarit për të. Për këtë sezon, kjo ekspeditë ka nisur disa ditë më parë në zonën Glinë Peshkëpi në afërsi të kufirit shqiptaro-grek. Ndalesa e parë e karvanit ka qenë teqeja e vjetër bektashiane që ngrihet në rrënojat e qytetit antik të Melanit. Udhëtari Domeniko Mochi thotë se reshjet e shiut të datave 4 dhe 5 qershor nuk e ndërprenë udhëtimin e tyre. Pasditen e datës 5 qershor kur shiu rreshti, grupi ynë mbërriti në tokën e lashtë të Antigonesë, ku pasi ngritëm çadrat dhe ushqyem kuajt, vizituam rrënojat e këtij qyteti antik që ndonëse ka lindur si produkt i dashurisë dhe është shkatërruar si produkt i urrejtjes, monumentet e tij dëshmojnë më së miri për fisnikërinë, trimërinë dhe kulturën e lashtë të shqiptarëve, virtyte për të cilat shkroi me aq dashuri Lord Bajroni, thotë Domeniko Mochi. Ndërsa gazetarja britanike Minty Clinch, pjesëtare e karvanit, ka marrë përsipër misionin për të mbajtur ditarin e këtij udhëtimi dhe për të shkruar sipas saj një reportazh për gazetën e njohur britanike The Daily Telegraph. Gjatë këtij udhëtimi të mrekullueshëm më ngjan vetja si zoti Hobhouse, shoqëruesi dhe miku i ngushtë i Lord Bajronit, i cili mbante ditarin e udhëtimeve që ata, të ndihmuar edhe nga Ali Pashë Tepelena, ndërmorën nëpër zonat malore të Shqipërisë Jugore në vitin 1809 nga Janina në Tepelenë, thekson Clinch. Grupi i turistëve ka kaluar një natë të paharruar pranë burimeve dhe nën lisat shekullorë të Antigonesë. Koordinatorja shqiptare e këtij udhëtimi, Kela Qendro, thotë se ky është viti i tretë që organizohet ky tur turistik. Kësaj iniciative i ka paraprirë fillimisht xhirimi i dokumentarit të suksesshëm mbi udhëtimin e poetit anglez, Lordit Bajron në viset shqiptare të prodhuar nga televizioni britanik Channel Four, me protagonist aktorin e njohur të Holliwood-it, Rupert Everet. Ideja e një itinerari historiko-turistik në gjurmët e Lordit Bajron dhe të atyre figurave historike që e ndoqën atë në këtë udhëtim i përket zotit Auron Tare, i cili edhe gjatë këtij turi është pjesë e kësaj ekspedite kalorësiake nëpër Luginën e Drinosit dhe Vjosës, thotë koordinatorja. Grupi turistik i përbërë nga kalorës profesionistë dhe amatorë do të udhëtojë në të gjithë gjatësinë e vargmalit dhe gjerdanin e fshatrave të Lunxhërisë dhe do të kalojë më pas në zonën e Zagorisë, për ta mbyllur udhëtimin në kështjellën e Tepelenës, ku ndali udhëtimin e tij Bajroni në vitin 1809. Në vitet e ardhshme, paketa do të ketë edhe elementë të tjerë të traditës si gara me kuaj, isopolifoni, konkurse me interpretime të Lord Bajronit dhe të udhëtarëve të tjerë. Engjëll Serjani