E Shtunë, 31 Tetor 2026

Karzai shpalos kabinetin e tij

Të nominuarit e presidentit të Afganistanit, Hamid Karzai, për kabinetin e tij të ri kanë provokuar sot pakënaqësi në mesin e deputetëve të parlamentit të Afganistanit, por kanë nxitur gjithashtu edhe një reagim të kujdesshëm pozitiv të misionit të OKB-së në këtë shtet të tronditur nga lufta dhe korrupsioni.

Zyrtarët e SHBA-së dhe të Britanisë nuk komentuan fillimisht listën, të cilën Karzai e shpalosi para parlamentit.

Në listën e Karzait janë përfshirë disa zyrtarë të favorizuar nga SHBA-ja, për të mbuluar funksionet të cilat janë të rëndësishme për rindërtimin e vendit.

Karzai është përballur me trysninë e fuqishme ndërkombëtare për të çrrënjosur korrupsionin në kabinetin e tij.

Por ai njëkohësisht është i detyruar që të kënaqë edhe aleatët e tij të brendshëm politik, përfshirë këtu edhe komandantët e luftës, të cilët e kanë mbajtur deri me tani në pushtet.
Disa anëtarë të parlamentit shprehën brengat në lidhje me disa prej të nominuarve, për të cilët theksuan se janë kukulla të komandantëve të luftës.

Megjithatë, një zëdhënës i presidentit theksoi se Karzai ka marrë vendimin për të nominuarit, pas konsultimeve që ka zhvilluar me zyrtarët ndërkombëtarë dhe politikanët afganë.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›