Përfundon samiti i Kopenhagenit me një mini-marrëveshje
Samiti i klimës që u zhvillua në Kopenhagen të Danimarkës ka arritur që të mbyllë siparin e tij me një marrëveshje të cilën president i SHBA-së, Barack Obama e cilësoi si një hap të rëndësishëm për globin, por që duhet plotësuar në të ardhmen. Reduktimi i gazrave serë ose dioksidit të karbonit deri në një masë të pacaktuar deri në mesin e shekullit aktual, reduktim i cili do të mundësojë uljen me 2 gradë Celsius të temperaturava globale në vitin 2050. Kjo ishte marrëveshja që u arrit me firmën katër supefuqive botërore ekonomike, të SHBA-së, Kinës, Indisë dhe Afrikës së Jugut. Fillimisht ndryshe nga SHBA, 3 shtetet e tjera Kina, India dhe Afrika e Jugut nuk ishin dakort për nënshkrimin e kësaj marrëveshjeje. Por pas tratativave shumë palëshe dhe me orare të zgjatura u arrit tek marrëveshja e mësipërme.
Gjithashtu gjatë masdites së ditës së premte Obama ka diskutuar për disa orë kokë më kokë me liderin kinez Hu Jintao për të arritur tek marrëveshja e ditës së premte. Presidenti i SHBA-së direkt pas përfundimit të samitit ka dalë në një konferencë për shtyp për të përshëndetur marrëveshjen e cila u arrit mes përfaqësuesve të 193 shteteve pjesëmarrëse në samitin e klimës. " Kjo marrëveshje është një hap shumë i rëndësishëm në projektin e ndryshimit të kursit për klimën globale. Por ky është një vendim i cili duhet që të plotësohet medoemos në një të ardhme të afërt."- deklaroi për mediat presidenti i SHBA-së Barack Obama.
Përveç presidentit Obama, pas përfundimit të samitit ka folur edhe presidenti i Francës, Nicolas Sarkozy. Sarkozy, në fjalët e tij, është shprehur shumë i zhgënjyer për mosarritjen e një marrëveshjeje më të plotë. Sipas Sarkozy, samiti duhej të përfundonte me një vendim të përbashkët ku të arrihej marrëveshja për uljen në masën 50 % të masës së dioksidit të karbonit deri në vitin e largët 2050.
"Jam i zhgënjyer nga ajo çka arritëm në këtë samit,"- është shprehur presidenti francez, Sarkozy. Kryediplomati francez ka njoftuar se pas 6 muajsh në Bon të Gjermanisë do të zhvillohet një samit tjetër për çështjen e klimës.
Kancelarja gjermane Angela Merkel e ka pranuar këtë marrëveshje nga ana e saj me rezerva. Sipas zyrtares më të lartë gjermane, në këtë samit duhej të arriheshin objektiva më të qartë dhe madhorë.