Dy mijë udhëtarë u bllokuan nën La Mansh

Dy mijë udhëtarë janë liruar të shtunën nga katër trena, të cilët gjatë natës mbetën të bllokuar në tunelin nën La Mansh, për shkak të prishjeve të shkaktuara nga të ftohtët e madh.
Udhëtarët mbetën të ngujuar gjatë natës në trenat në Eurotunel, pa ngrohje dhe pa ndriçim, ka njoftuar kompania “Eurostar”.
Ndërkohë, katër trena janë larguar nga tuneli, ndërsa udhëtarët janë bartur në trena të tjerë, ka bërë të ditur kompania.
Trenat e “Eurostar”, megjithatë nuk do të qarkullojnë sot deri në mesditë, ndërsa edhe përgjatë vikendit komunikacioni do të jetë i vështirësuar. Në juglindje të Anglisë dhe Skocisë sot priten të reshura të reja, ku temperaturat do të ulen nën zero gradë Celsius.
Bora ka krijuar kaos të vërtetë në pjesët e Britanisë së Madhe dhe shumë shkolla janë mbyllur, si dhe ka edhe probleme me furnizim me energji elektrike.
Sipas kumtesës së kompanisë “Eurostar”, deri te defektet në trena ka ardhur për shkak të dallimeve të temperaturave ndërmjet pjesës së jashtme, ajrit të ftohtë dhe nxehtësisë brenda në tunel. Për shkak të acarit të madh është mbyllur edhe porti Dover.