Kasami refuzon ftesën e Maqedonise “Mendoj se unë do të vazhdoj edhe më tej të luaj me Zvicrën, por nuk përjashtoj mundësia që në të ardhmen të paraqitem për Maqedoninë, varësisht se si merrem vesh me federatën zvicerane”, pohoi Pajtim Kasami

Avdyl SALIHU - Edhe pse reprezentacioni i Maqedonisë (U-19), i ka bërë ftesë mesfushorit të Lacios, Pajtim Kasami që të vesh fanellën e tyre në dy ndeshjet miqësore me Malin e Zi, të njëjtën e ka refuzuar vet futbollisti shqiptar, që momentalisht paraqitet për kombëtaren e Zvicrës.
“Këtë javë në klubin e Lacios ka arritur një faks ku kërkohet që unë të testohem për dy ndeshjet miqësore kundër Malit të Zi. Ftesën e njëjtë disa ditë më parë ma ka bërë edhe bashkëlojtari im Goran Pandev.
Mirëpo, mendoj se unë do të vazhdoj edhe më tej të luaj me Zvicrën, por nuk përjashtoj mundësia që në të ardhmen të paraqitem për Maqedoninë, varësisht se si merrem vesh me federatën zvicerane”, pohoi Kasami për gazetën “Koha”.
Ndryshe, mesfushori ka marrë ftesë edhe nga drejtori sportiv i Lacios, Igli Tare që të paraqitet në fanellën “kuqezi” të Shqipërisë. Se për kë do të vendos 16 vjeçari të luaj në të ardhmen mbetet të shihet.
E Enjte, 26 Shkurt 2009