E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kasandra edviniste e bukës s’fsheh qorrsokakun e të majtës

Ndonëse ka përzgjedhur masat për të shkuar programin politik të Partisë Socialiste, kryesocialisti Edi Rama ka vendosur t’i katandisë anëtarët dhe simpatizantët socialiste barabar me muzhikët rusë të cilët pas rrëzimit të carizmit në 1917, e përmblodhën të gjithë etosin e tyre politik tek parulla: paqe, tokë, liri. Tre kërkesa nga të cilat bolshevikët “realizuan” vetëm të parën dhe këtë në një formë poshtëruese të sintetizuar në paqen e Brest-Litovskit. Për tokë dhe liri aq që bëhej fjalë. Formalisht tokën e përftuan dhe gëzuan për disa vite, në një kohë lirinë e humbën që në javët e para që pasuan pushtimin e Pallatit të Dimrit dhe triumfin e revolucionit të kuq. Duke vijuar të notojë në ujërat e një çorientimi të madh politik, shembujt për të cilën janë të bollshëm, madje repertori i tyre pasqyrohet nga dita në ditë në takimet e Ramës nëpër qytetet e fshatra të ndryshme të vendit, kryesocialisti po kërkon të shfrytëzojë edhe këtë herë një moment të vështirë për shumicën e shqiptarëve, moment që ka të bëjë me luhatjet e ndjeshme të çmimit të një produkti bazë për konsumatorin, bukën. Shkaqet për rritjen e çmimit të bukës janë bërë publike dhe ndërhyrje për të normalizuar situatën qoftë edhe në mënyrë të tërthortë janë premtuar nga ana e autoriteteve qeveritare. Megjithatë interpretimi i këtij fenomeni ashtu si edhe kriza energjetike, e cila sa herë troket në derë me të gjithë forcën e vetë, sigurisht që do jo pak kohë për t’u zbutur, përmes tjerrjeve të ngushta të politikës së ditës, ka tunduar edhe në këtë rast selinë rozë që t’i kthehet organizimit të protestave popullore. Rama nuk di apo nuk do të që aprovojë apo kundërshtojë shkaqet reale të kësaj situate, duke ia veshur në mënyrë irracionale gjithçka “politikës së vjetër”. Në këtë këndvështrim synimi kryesor i lëvizjes së re edviniste priret të jetë abuzimi maksimal me emocionet e njerëzve të thjeshtë, me anë të tundjes para kamerave të gogolit të një urie masive që mund të trokasë në vend duke përhapur kështu një panik masiv në popull. Lëvizje të tilla përveçse një dëshmi e përsëritur e krizës së ideve alternative, përplasja e të cilave në fundit të fundit nënkupton vetë zhvillimin e shëndetshëm të një demokracie në një vend, janë cinike e makabre. Gjithsesi ato janë përdorur në vjeshtën e vitit 1991, kur kryetari aktual i Kryesisë së PS-së, asokohe kryeministër i qeverisë së stabilitetit, Ylli Bufi, do të kumtonte përmes televizionit shtetëror lajmin apokaliptik se “Shqipëria kishte vetëm 6 ditë bukë”. “Sinqeriteti” i demonstruar në këtë rast rezultoi të ishte fatal për dhjetëra shqiptarë, të cilët të kapluar nga paniku iu turrën magazinave të rezervave të shtetit për të rrëmbyer thasët e fundit me drithë apo miell që kishte mbetur. Ndërhyrja e dhunshme në Fushë-Krujë, shkaktoi një zjarr masiv, gjatë së cilës mbetën të shkrumbuar jo pak persona. Për këtë arsye Kasandra e “6 ditëve bukë” që kryesocialisti dhe ndonjë parti tjetër e së majtës do të tentojë të përdorë në ditët në vijim nuk mund të shpëtojnë kryesocialistin Rama nga qorrsokaku ideologjik dhe programor ku është futur. Kanë kaluar mbi 10 vjet nga ngjarjet tragjike të vitit 1997, megjithatë në memorien e shumicës së shqiptarëve është ende e freskët shfrytëzimi i kërkesave për kthimin e parave të humbura në firmat piramidale në një grusht të mirëfilltë shtetit për të ardhur me dhunë në pushtet.

 Re. Po

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›