Skema – Vetëm 10 vetë do përfitojnë nga 99-shat
Zbardhja e transkriptit të mbledhjes së 27 dhjetorit, mes bashkëthemeluesve të “Grupim 99” zbulon më qartë edhe lojën që Erion Veliaj po luan në kurriz të dhjetëra intelektualëve të tjerë, të cilët janë thirrur si mish për top për të kontribuar në presionin qytetar, që do të ushtrohet, derisa të merret vendimi politik që ai dhe disa shokë të tij të përfshihen në listën e mbyllur proporcionale të Partisë Socialiste të Edvin Ramës. Pa dashur t’i hapë petët lakrorit deri në fund, Erion Veliaj ka deklaruar se në grupim vetëm disa prej më aktivëve do të thirren për t’u bërë pjesë e partive politike, në parlamentin e ardhshëm. Duke iu përgjigjur interesimit të Selim Belortasë nëse grupimi do të ishte një ojq e re apo një parti politike, Mustafa Nano ka shprehur bindjen e tij se edhe vetëm 10 deputetë do të mjaftonin, duke vendosur kështu edhe stekën e pretendimeve të lëvizjes më të re politike. Dyshimet e mëdha për paraqitjet televizive të eksponentëve të rinj të kësaj lëvizjeje, kryesisht fëmijë të brezit të dytë të nomenklaturës komuniste dhe të ish-Sigurimit të Shtetit, vërtiten rreth mënyrës se si do të kryhet opozita ndaj qeverisë së Sali Berishës. Kompleksimi ndaj suksesit dhe performancës që ka pasur Komiteti i Orientimit të Politikave i streson sfidantët e rinj politikë, të cilët nuk dinë ta ndajnë shapin nga sheqeri e nuk arrijnë të kuptojnë se e gjithë gjella politike po gatuhet që vetëm dhjetëshja e paracaktuar e njerëzve të Edvinit do të mund të paraqiten në parlamentin e ardhshëm. Zbardhja e synimeve për të përzgjedhur një elitë edhe mes 99-shave tregon karakterin thellësisht arrivist e politikisht të vjetër të “politikës së re” që predikon Erion Velija, i vetëshpallur, meqë asnjeri s’e ka zgjedhur si lider të lëvizjes së re politike. Dyshimet që Velija shfaqi në emisionin “Top Story” konfirmohen nga transkripti që posedon gazeta “55”. Aty gjendet veç bashkimi në një militim komunist e majtist barrikadash kundër qeverisjes aktuale, për hir të katapultimit të politikë të disa të përzgjedhurve të Edvinit, që s’hynë dot nga dera e PS-së, por do të hyjnë nga dritarja, gjatë riformatimit të Grupit Parlamentar Socialist, në legjislaturën që do të nisë në vitin 2009, e ku duket se sërish nuk do të bëjë pjesë kryetari në detyrë i bashkisë së Tiranës dhe i “bashkisë” se socialistëve.
Pjesë nga transkripti i mbledhjes së 27 dhjetorit, mes bashkëthemeluesve të “Grupim 99”
Erion Veliaj: Angazhim i përbashkët për t’i bërë opozitë këtij revanshi politik
Sugjeroj të kemi grupime brenda profesioneve..., miniforume si dhe persona që do të merrnin rolin e koordinatorëve të grupeve dhe të kemi koordinim të kontributeve
Kontribut qytetar për largimin e këtyre karagjozëve...
Parti, organizatë..., hajde të formulojmë ambiciet tona
Duhet të bëjmë një ligë kampionësh tonën për të ndryshuar statukuonë e rregullat tona!!!
Duhet të bëhemi pak më pragmatistë... disa njerëz duhet të shkojnë në parlament për të ndryshuar disa gjëra të bëra keq
Milva Ekonomi: Është e shqetësuar për përkundjen e vlerave të demokracisë dhe të një klime që pengon ofrimin e alternativave ja kermi borxh kësaj shoqërie një frymë ndryshe.
Andrea Stefani: Sot është koha e provës... Duhet të provojmë se Shqipëria ka intelektualë të aftë dhe të angazhuar për t’i bërë rezistencë këtij regjimi... Ndodhemi përballë një problemi akut. Kjo lëvizje duhet të ndërveprojë për kauzën e përbashkët për të demaskuar sharlatanizmin... Të vemë theksin për të futur në parlament njerëzit që kanë ndot nga pisllëku u politikës sot
Genci Majdeli: Shqetësim për ngjashmërinë e kësaj lëvizjeje me KOP-in dhe riskun se mund të dukemi si kopjacë
Enri Hide: e vetmja vlerë e përbashkët është sulmi ndaj antivlerës
Artur Kalanxhi: të përcaktohet platforma e kësaj lëvizjeje
Nora Malaj: A bëhet politikë sot? Nevojitet mburoja ndaj intelektualët e grupimit duhet të përkrahin njëri-tjetrin.
Ervin Karamuça: Ne jemi shpresa e fundit. Nevojitet që Lëvizja të marrë një stampë
Mustafa Nano: Ama duhet te jete nje parti me identitet te qarte dhe e pallakatosur me mocalin politik sot. Edhe sikur te jesh pjese e ketij koalicioni por nuk ben allishverishe per ministri por kerkon te mesipermet. Edhe 10 deputete mund te emancipojne gjithe parlamentin.
Erion Veliaj: Ka dy kategori mes nesh: -gjysem axhende -kontribut qytetar qe synon largimin e ketyre karagjozëve; -axhende -disa te gatshem per angazhim publik Leonard Quku