E Diel, 1 Nëntor 2026

Sa herë hyn Nano tek Rama

Nano e braktisi Lëvizjen për Politikë Institucionale të Koçit bash në mes të rrugës, në Fier, ku Petroja kishte bërë gati tubimin më madhështor të përkrahësve të Lëvizjes “Nano eja”, që i mbivendosej asaj të Petros, jo vetëm numerikisht dhe cilësisht, por edhe në synimin për largimin e Ramës nga drejtimi i PS. Tashmë Koçi i zhgënjyer thellë, e akuzon Nanon se e shiti tek Rama mundin dhe besimin e ithtarëve të Lëvizjeve në fjalë dhe pa kufij dallues. E akuzon se e shiti për interesa meskine, personale, pasi e përdori për mjaft kohë si mjet shantazhi e presioni politik për t’i ngritur çmimin në pazarin e turpshëm.
Nga e gjithë kjo mesele Koçi thjesht është zhgënjyer dhe shkurajuar, sikundër edhe herën e parë, kur Nano i keqpërdori idetë e tij të “Lëvizjes për katarsis”. Por Petroja ende edhe sot e kësaj dite nuk i ka kuptuar skemat e vjetra dhe lojën nën rrogoz të ish djemve të Bllokut, që politikën dhe idetë politike i kanë asete për pazare parash e interesash. Koçi duhej ta kuptonte se Nano vuan nga dembelizmi dhe gjithmonë ka nevojë për pushime të gjatë dhe rekonvaleshencë pas çdo pune apo aksioni sadopak intensiv. Por mbi të gjitha Koçi duhet të kuptojë se Nano vuan kryesisht mungesën e seriozitetit dhe të përkushtimit në përmbushjen e detyrimit ndaj ithtarëve, çka e ka demonstruar edhe në të kaluarën politike plot kthesa e zikzake pa sens.
Nanos i erdhi si rrufe në qiell të pastër arrestimi i 31 korrikut të vitit 1993 pas një pjesëmarrjeje gjysmë-intensive afro 3-vjeçare në politikë, qëkurse Ramizi, Nexhmija dhe Tao Tao e morën nga Instituti i Studimeve M-L dhe e futën në qeverinë komuniste të retushuar të fundvitit 1990. Ndaj jo vetëm që nuk e humbi, por e shfrytëzoi mrekullisht dhe plot sukses rastin për të bërë pallë nja katër vjet në hapsanë, prej nga doli me nja 20 kile të shtuara.
Nanos sërish i ra nga qielli “dhurata” tjetër e 14 shtatorit 1998, pas së cilës bëri gjumin e madh për pothuajse 40 muaj nëpër vakanca, ku u lodh dhe u mret në krevat, ndaj edhe vendosi të rikthehej për të marrë drejtimin e partisë dhe më pas të qeverisë, ku sërish nisi pallën nga e cila u zgjua vetëm kur e pa se punët kishin shkuar për dreq dhe se pushteti s’mund të mbahej më.
Dhe po sërish Nanos i ra si dhuratë “qiellore” largimi prej qeverisjes më 3 korrik 2005, ku pas një zvarritjeje të pakuptimtë prej afro 3 muajsh, dorëzoi çelësat për t’ia mbathur jo në ekzil politik por në vakanca ku u shullë në diell dhe prehu kokallat nëpër resorte nja 16 muaj. Por edhe pasi u zgjua, thuhet se vetëm nën ndikimin e zonjës së re, që i rrinte mbi krye si Vasiliqia Ali Pashës, vendosi të rikthehet si Babo Natale dhe t’i tmerrojë rivalët brenda partisë në janar 2007, pas takimit me Berishën në Pallatin e Brigadave dhe pas daljes publike pranë tij në Kryeministri. Duke shfrytëzuar impasin zgjedhor vendor, Nano u bë i gjallë për t’u treguar të gjithëve se ishte faktor që nuk duhej harruar e nënvleftësuar, sepse në të kundërt do të gabonin... Dhe kishte të drejtë përderisa ia arriti t’i dërgojë majtistët në kutitë e votimit dhe më pas ia arriti pa shumë mund të ngrejë valët e cunamit në PS, teksa drejt dhe rreth tij turreshin dhe shtoheshin radhët e socialistëve që kërkonin rikthimin e tij në krye të PS.
Por kësaj radhe Nano sërish ndaloi, dhe jo ngaqë u lodh shpejt, sikurse edhe e ka zakon, por ngaqë iu mbarua “karburanti”. Ndaj Nano gjobëvënësi vendosi të shantazhojë Edvin parelliun, të cilit ia bëri të qartë se nëse nuk i jepte “karburant” për t’u nisur sërish drejt resorteve, do t’i bënte gjëmën sikurse ua kish bërë dikur edhe Metës e Majkos.
Dhe Edvini që është nga ata që mëson mjaft mirë nga përvoja e hidhur e të tjerëve dhe që ndjeu sesi iu lëkund poltroni i kryetarit të PS nën të ndenjura, menjëherë hapi qesenë për sherrxhiun që mund t’i rrezikonte gjithçka kish mundur të bënte pas andrallave e vështirësive të panumërta.
Por kësaj radhe Nano nuk u tërhoq thjesht se kishte nevojë për pallën e radhës... Ai u tërhoq pasi nuk dinte se ç’të bënte me ata që iu tubuan plot shpresë, e që donin aksion. Sepse nëse do të vijonte lojën e nisur, do t’i duhej të shembte Edvinin dhe në rastin më të mirë të largimit pa bujë të Ramës, do t’i duhej të përgatiste partinë për fitore në zgjedhjet parlamentare, gjë të cilën nuk ka ndërmend ta bëjë, sepse është me rrezik dhe kërkon mund të madh, përveçse edhe kryqe për të mbajtur pushtetin në rast fitoreje.
Sepse Nano e di mirë se me të babëziturit kokëtulë që e rrethojnë, nuk bën dot pushtet përveçse stan me lepuj, sa kohë që rreth vetes ka vetëm Koçin dhe Frrokun, me stomak të vogël.
Petrua u tregua i leshtë kur nuk kuptoi që në fillim të Lëvizjes ku u investua totalisht, se Nano nuk e kishte seriozisht, teksa në vend që të hapte defterët e frikshëm të korrupsionit të Edvinit, që do ta bënin copë e grimë kryesocialistin, thjesht si një redaktor i mirë gazetash bëri një përmbledhje të shkrimeve kritike ndaj Ramës të një gazete të djathtë, përmbledhje të cilën pasi e copëzoi në disa vijime, thjesht e perifrazoi në mënyrën më intriguese nëpër tubime. Sepse kësisoj dhe vetëm në këtë mënyrë, Nano konkludoi se mund ta tmerronte Edvinin me të njëjtat gjatësi vale, mjete dhe efekte me të cilat kryesocialistin e kish lemeritur gazeta në fjalë.
Petros do t’i mjaftonin përzgjedhja, pozicioni prej filozofi dhe diskurset e Frrokut, për të kuptuar se Nano as që kish ndërmend të vendoste Politikat Institucionale në qendër të aksionit politik të Lëvizjes për shembjen e Edvinit, por thjesht kish ngarkuar Çupin për të bërë përqasje të figurave dhe koncepteve të Ramës me ato të Duçes... Skemë sulmi kjo që më tepër i konvenonte Ramës sesa e dëmtonte atë, teksa dihet se Duçja ishte dhe mbeti deri në fund socialist, por gjithsesi një lider karizmatik dhe superues i turmave.
Petroja që është dhe mbetet njeri i lexuar, gjithashtu duhet ta dijë se neokomunistët shqiptarë të tubuar në PS dhe në të majtën opozitare, nuk mund t’i trembësh me figurën dhe përqasjen e teorive politike të Duçes, të cilin prindërit veteranë të tyre, në shumicë ish-molotovë-ribentropsa dhe ish anëtarë të Partisë Fashiste dikur, jo vetëm e adhuronin asokohe por i shërbyen me të gjitha mënyrat, para dhe gjatë pushtimit fashist të Shqipërisë. E nëse Edvini imiton nëpër pupitra Duçen, diskurset dhe teoritë e tij që derdheshin përrua nëpër sheshet e Italisë, e di mirë se këto ngjisin tek ish fashistët dhe bijtë e tyre, madje me të njëjtin efekt që idetë e mama Maries-anëtare e PFSH ngjisnin tek trutë-sfungjer të Nanos, që në rini e deri vonë.
Petroja duhet ta kuptojë se Nano është lodhur nga taborret e socave që shkojnë pas atij që mban shpatën dhe kurorën në PS, pasi janë po të njëjtit takëme që ulërinin edhe për ish kryetarin e burgosur dhe gdhiheshin e ngryseshin me emrin e tij në gojë në vitet 1993-1997, por turreshin edhe pas Pëllumbit, Hajdaragës, Majkos e Metës... Madje pas këtij të fundit shkoi në LSI afro çereku syresh.
Nano lodhet edhe nga të tijtë, e jo më nga hipokritët që pasi u turrën pas Edvinit për llokma, u rikthyen sërish drejt tij të zhgënjyer, ngaqë Edvini llokmat ua lëshoi atyre që solli nga bashkia, si dhe miqve të rinj ojëqëistë.
Nano tanimë, si “qeros” i vjetër hileqar e plot përvojë, në rekonvaleshencën e detyruar të “krahëthyerit” po përtyp qetësisht tagjinë dhe “arrat e qëruara” të Edvinit, duke mos rrezikuar të marrë mbi shpinë ende përgjegjësinë e coptimit të PS, gjysmën e së cilës nuk do të mundte ta manaxhonte sa kohë që ka ndërmend të bëjë vakanca dhe pallë.
Ai tashmë është futur dhe strukur në kapotën dhe qillotat e Edvinit shtatlartë, që kërcen në politikë si kanguri që në xhep-marsupin ka strehuar nano-xhuxhin e vockël.
Nano sigurisht që e ka siguruar që tani prej Edvinit mandatin e ardhshëm të deputetit, ndërkohë që Petrua dhe Frroku e kanë të pasigurt atë. Ashtu i strukur nën marsup, Nanos as që i bëhet vonë se ku do të përfundojnë 6 deputetët ithtarë, njëri prej të cilëve qysh tash është arratisur në Kanada, ndërsa të tjerët, me gjasë, do të konvertohen në demokristianë...
Nano do të rikthehet prapë në politikën ku e ka të sigurt parcelën e vet, pas humbjes së Edvinit në zgjedhjet parlamentare të vitit 2009. Tosi ka elektoratin e vet të natyrshëm, e që natyrisht do ta marrë sërish, ndërsa Edvini do të mbetet në parcelën përbri me ithtarët e rinj e të vjetër që ka tubuar tash së fundmi në parti.
Por Nano do të rikthehet nga resortet vetëm pasi të ketë mbllaçitur dhe ripërtypur tagjinë e Ramës, që është bërë shefi i magazes së tagjisë të së majtës shqiptare. Nano ka nevojë të rritet, por gjithmonë nën hijen gjigante të Edvinit, ndonëse kjo është hije e sabahut të epokës majtiste, që duket larg në horizontet e pushtetit. Ndaj edhe Nano fshihet sa herë që pushteti duket larg. Nga Astrit KOLA

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›