E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kasapi perpara gjyqit Mladic Jam i semure rende

Ratko Mladiç doli para Gjykatës së Krimeve të Luftës të Hagë ku  mëngjesin e sotëm u mblodhën dhe nënat e Srebrenicës  të cilat kërkojnë që kasapi i Ballkanit të dënohet me burgim të përjetshëm. Ish-gjenerali para panelit gjykues tha se ishte "i sëmurë rëndë" dhe nuk donte të dëgjonte “as një fjali e asnjë gërmë" të aktakuzës kundër tij të lexuar në gjykatë.

Gjenerali Mladiç tha se nuk do të pronocohej për këto akuza të padurueshme. Aktakuza kundër tij e fajëson për genocid, persekutim, shfarosje, vrasje, deportim, akte çnjerëzore, terror, dëbimit dhe pengmarrje e përfshirje në komplot me qëllim "eleminimin apo shfarosjen" e muslimanëve në ndjekje të idesë për "Serbinë e Madhe". Pas masakrës së Srebrenicës, mizorisë më të rëndë në Europë që nga Lufta e Dytë Botërore, gjenerali Mladiç është akuzuar edhe për rrethimin 44-mujor të kryeqytetit Sarajevë, ku numri i viktimave është 10.000.

“Unë jam një njeri i sëmurë rëndë dhe kam nevojë për më shumë kohë për të kuptuar se çfarë u lexua, pra ju lutemi të jeni të durueshëm" -deklaroi Mladiç që shtoi se duhen të paktën dy muaj për të lexuar dokumentat në aktakuzën kundër tij. Kur u pyet për t’u vetë deklaruar fajtor ose jo, Mladiç tha se akuzat ishin "monstruoze", dhe kishte nevojë për më shumë se një muaj për t'u përgjigjur. Avokati i tij dhe familja e kasapit të Ballkanit thonë se ai është shumë i sëmurë për të dalë në gjyq, por mjekët e kanë deklaruar atë të aftë të jetë në gjykatë.

Në seancën e tij të parë para Tribunalit Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë, gjenerali Mladiç u pyet nëse ai mund të kuptonte procedurat çka ai e konfirmoi, ndërsa deklaroi  emrin dhe datën e lindjes, ku kjo e dyta nuk përkonte me të dhënat e gjykatës. Avokati Aleksandar Aleksiç është përfaqësues i gjeneralit Mladiç për seancën. Gjenerali Mladiç mund të zgjedhë një avokat i përhershëm për gjykim më vonë, apo të zgjedhë të bëjë vetë mbrojtjen e tij.

Delina Bitraku

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›