Kasat, serveri i tatimeve me probleme, tender për pajisje shtesë
Buxheti i shtetit vijon të shpenzojë shuma të mëdha parash për projektin e fiskalizimit edhe pse kanë kaluar disa vjet nga nisja e tij. Kjo, për faktin se administrimi i të dhënave të dërguara nga kasat fiskale të vendosura nëpër mjediset e biznesit nuk bëhet në mënyrën e duhur. Nuk janë të pakta ankesat e pronarëve të lokaleve kryesisht, të cilët hasin në vështirësi në dërgimin e të dhënave në përfundim të ditës. Kjo ndodh për shkak të mbingarkimit të rrjetit, por edhe të mangësive që ka vetë sistemi i ngritur nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, i cili nuk arrin ti përgjigjet teknologjisë së kasave që janë në treg, por edhe fluksit të informacionit që dërgohet. Një fakt i tillë pranohet edhe nga vetë Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve.
Tatimet nga ana tjetër kanë për qëllim rritjen e kontrollit ndaj bizneseve nëpërmjet kasës fiskale duke parashikuar të fusin në funksion software, të cilët dallojnë deklarimet e pavërteta, mund të verifikojnë në çdo kohë aktivitetin e biznesit apo që mund të lajmërojnë për funksionimin ose jo të kasës fiskale. Një gjë e tillë ose nuk ka ekzistuar ose është aplikuar në një masë të kufizuar deri më tani.
Për këtë qëllim por edhe për shkak të mungesave të deritanishme, Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve ka shpallur sëfundmi një tender për blerjen e pajisjeve shtesë siç janë softwarët, të cilët do të mundësojnë kontroll më të plotë të pajisjeve fiskale.
Në lajmërimin e kontratës, të publikuar në Agjencinë e Prokurimeve Publike më datë 31 tetor, DPT-ja pranon hapur se deri më tani ka hasur vështirësi në procesin e transferimit të informacionit me aparaturat që ka nën administrim duke investuar edhe 12.5 milionë lekë për blerjen e aparaturave shtesë. Programi i DPT-së transferon dhe regjistron në databazën qendrore të DPT-së informacionin në mënyrë automatike. Sistemi ekzistues ka shumë mangësi, për këtë arsye kërkohet shtimi i shumë moduleve shtesë. Këto module duhet të lidhen me sistemin ekzistues, – u shpjegon Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve kompanive që mund të jenë të interesuara për të marrë pjesë në tender. Aq të domosdoshme janë këto aparatura për DTP-në sa që ajo u jep kompanive fituese vetëm gjashtë javë kohë që të dorëzojnë pajisjet dhe të përmbyllin kontratën. Referuar dokumentacionit të shpallur, të gjitha veprimet duhet të mbyllen deri më datë 31 dhjetor të këtij viti.
Të gjithë këto ndryshime si dhe ky shpenzim tregojnë se pavarësisht deklaratave në publik për një sistem model nëpërmjet vendosjes së kasave fiskale, në të vërtetë ai nuk ka funksionuar siç duhet. Më shumë se me ngritjen e një sistemi funksional, autoritetet janë angazhuar fillimisht për të pajisur bizneset me kasa fiskale. Por, rritja e numrit të kasave të lidhura me serverin qendror ka bërë që ai të mos ketë kapacitet të administrojë të gjithë informacionin e dërguar duke detyruar tatimet që të bëjnë shpenzime të tjera me qëllim rritjen e kapaciteteve dhe të kontrollit.
Pajisjet, kontrollohen kasat në të gjithë vendin
Krahas plotësimit të mangësive në sistem, pajisjet shtesë që Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve parashikon të blejë do të rrisin së tepërmi edhe kontrollin në distancë të të gjitha kasave fiskale të lidhura me Drejtoritë Rajonale të Tatimeve. Kjo është një formë tjetër kontrolli që eprorët parashikojnë të aplikojnë ndaj vartësve të tyre në rrethe duke marrë të drejtën për të kontrolluar aktivitetin e çdo biznesi nga qendra.
Tatimet po ndërmarrin edhe një shtrëngim masash për ato biznese që deklarojnë më pak nga sa kanë xhiron reale. Madje serveri do të lajmërojë edhe në rastet e raportimeve, të cilat tatimet i cilësojnë si të pakuptimta që do të thotë që një ditë raportohet xhiro e lartë dhe një ditë tjetër shumë herë më pak. Të zhvillohet analiza e riskut për sistemin e pajisjeve fiskale për të dedektuar mostransmetimet apo vlera të transmetuara të pakuptimta apo kur pajisjet fiskale nuk përdorën sipas përcaktimeve ligjore, – përcaktohet në dokumentacionin e tenderit.
Pasi të ketë përfunduar instalimin, kompania fituese do ti mbajë aparaturat një muaj në provë ndërkohë që do të trajnojë edhe pesë punonjës të tatimeve, të cilët do merren me administrimin e pajisjeve të reja.
