E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kashahajt, të pasurit e përndjekur të Gjirokastrës

"Çuditërisht, edhe pse i shkaktoi kaq shumë dhembje familjes sonë, në dy vizitat që kreu në Gjirokastër, Enver Hoxha ka qëndruar para portës sonë.

Në vitin 1968 takoi gjyshen time, e cila i kërkoi të na kthenin shtëpinë, pasi në të banonin vetëm sekretarët e partive, ndërsa ne ishim në bodrum.

I dha fjalën gjyshes se do na i kthenin, po në fakt na dhanë vetëm dy dhoma në katin e parë, ndërsa aty vazhdonin të jetonin sekretarët e partive",- kujton Hajri Kashahu

GJIROKASTËR- Një histori ku jetët e dhjetëra personave ndryshojnë kryekëput sa hap e mbyll sytë, ku zhvillimi kthehet në humbje, dinjiteti në përçmim, pasuria në mjerim. Kjo është një prej shumë realiteteve të hidhura, që për më shumë se katër dekada u bënë bashkudhëtare të atyre personave që kishin fatin e mirë dhe të keq të ishin pjesë e familjeve të pasura gjirokastrite. Familja Kashahu është një shembull i tillë, ku gjithçka merr të tatëpjetën, pa asnjë motiv.

Familja Kashahu

Ka një moshë rreth 400-vjçare në Gjirokastër. Të paktën këtë faktojnë dokumentet, ekzistencën e mbiemrit Kashahu në vitet 1600, së bashku me fise të tjera mjaft të njohura. Është familja që në mjediset e njërës prej pronave të saj, në Pazarin Karakteristik në vitin 1880 u mblodh Kuvendi i Gjirokastrës, me krerët e të gjitha viseve shqiptare, që vendosën moslejimin e ndarjes së Shqipërisë. Pllakata në kujtim të kësaj ngjarjeje historike qëndron në pjesën ballore të godinës.

"Kemi bërë disa verifikime në arkivat e Turqisë dhe kemi gjetur në një regjistrim të kryer diku rreth viteve 1600 emrat e tre familjeve gjirokastrite, Kashahu, Kokalaraj dhe Topullaraj; ndoshta familja jonë është edhe më e vjetër, por që jemi në Gjirokastër prej më shumë se 400 vitesh kjo është e dokumentuar", tregon për "Shekulli"-n Hajri Kashahu, njëri prej trashëgimtarëve të familjes që vazhdon të jetojë në Gjirokastër e që e njeh mirë historinë e pesë brezave të fundit.

Sikurse një pjesë e familjeve të mëdha gjirokastrite, me kalimin e shekujve, edhe Kashahu mori degëzime të tjera; nga trungu kryesor dolën edhe Galanxhinjtë dhe Hadërajt, fise që vazhdojnë të jetojnë në Gjirokastër.

Origjina e largët mbetet e panjohur, pasi nuk ka shumë të dhëna për të, por mendohet se është fshati Suhë i rrethit të Gjirokastrës, duke qenë se fillimisht aty ka qenë e përqendruar sipërfaqja më e madhe e tokave në pronësi të familjes Kashahu. Në pesë brezat e fundit familja njohu zhvillim të madh ekonomik e intelektual, njohu përndjekjen, burgosjet, pushkatimet, varfërinë dhe tashmë përpjekjet për ringritje.

"Brezi i parë është Kasëm Kashahu, i martuar me Hanko Topullin; kishin 3 djem të shkolluar në Turqi, Omarin, Rikon, të dy tregtarë dhe Haxhiun, kadi për jugun. Haxhi Kashahu ishte gjyqtari që nuk lejoi bashkimin e Gjirokastrës me Greqinë, ekzistojnë edhe dokumente për këtë çështje, - rrëfen Hajriu.

- Brezi i dytë që është edhe familja ime, ishte Rikoja, gjyshi im, që kishte 5 fëmijë, tre djem: Mufit Kashahun, Aqif Kashahun dhe Xhemilin, babai im, si dhe dy vajza. Pjesëtarët e këtij brezi u shkolluan në shkolla perëndimore.

Mufit Kashahu, diplomuar me medalje ari në universitetin e Monpeljesë në Francë, një nga shokët e fëmijërisë të Enver Hoxhës, të cilin e mbajti kur shkoi me studime atje; Nendret Hoxha, kushërira e parë e Hoxhës, nënkryetare e Gjykatës së Lartë, ish- presidente e gruas dhe mbesë në familjen tonë është shprehur:

"Kam përfunduar studimet në të njëjtin universitet me Mufit Kashahun; isha një vajzë në 600 djem. Kur shkova në universitet më pritën me respekt shumë të madh dhe në fillim nuk e kuptova arsyen.

Pastaj kur pashë në hollin e universitetit foton e Mufit Kashahut ndërmjet studentëve më të shkëlqyer, e kuptova. Kjo familje pati një fat të hidhur, por ishte e pamundur të flisje me Enverin për të tilla gjëra, duke qenë se ai i njihte shumë mirë.

Djali i dytë ishte Aqif Kashahu, i cili përfundoi shkollën tregtare në Athinë, ndërsa babai im Xhemili, djali i tretë, për shkak të zhvillimeve të mëvonshme nuk mundi të shkollohej. Këta ishin brezi i tretë. Brezi i katërt jam unë, dy vëllezërit dhe kushërinjtë, ndërsa i pesti fëmijët tanë", tregon historinë e familjes Hajri Kashahu.

Pasuria

Shtëpia e parë e Kashahajve ndodhej në lagjen "11 Janari", por një zjarr aksidental e shkrumbon në vitin 1924. Shtëpia tjetër ndërtohet në lagjen "Palorto", pranë Kokalarajve, që ishin dajat e familjes.

Aktiviteti tregtar me kalimin e viteve deri më 1944-n mori një zhvillim të madh dhe bëri që pasuria e familjes të shtohej në mënyrë të ndjeshme. Tetë godina në Pazarin Karakteristik, sipërfaqe të konsiderueshme toke bujqësore e kullota përbënin një pjesë të pasurive të patundshme.

"Në Pazar kishim 8 dyqane, një restorant, një hotel dhe një furrë buke. Kati i tretë i godinës, që është e vetmja me tre kate, u ndërtua nga brezi i dytë, ndërsa të gjitha materialet u sollën nga Janina. Kishim në pronësi rreth 80 hektarë kullotë dhe rreth 35 hektarë tokë bujqësore në Suhë, në fushën e Gjirokastrës e Goranxi.

Në përgjithësi, tokat bujqësore dhe kullotat ishin të dhëna me qira. Pas përfundimit të shkollës tregtare në Athinë, të gjitha pasuritë e familjes kaluan nën administrimin e Aqif Kashahut, xhaxhait tim, i cili i dha një hov shumë të madh tregtisë dhe ekonomisë së familjes sonë deri në vitin 1944. Duke qenë se kishin rreth 400 kokë bagëti, përvç pasurive të tjera, prodhonin djathë, i cili shitej vetëm në Amerikë në Boston, me markën "Djathë gjirokastre".

Ngarkohej në portin e Sarandës dhe kishte gjetur treg atje, sepse kishte shumë ballkanas dhe ishte mjaft i preferuar. Tregtia e djathit bëhej nga Kashahajt dhe Kokalarajt dhe ishte mjaft fitimprurës. Kam takuar njerëz të moshuar tashmë që më kanë treguar se kur ishin fëmijë kishin shkarkuar nga anijet në Boston djathin që vinte nga Gjirokastra", tregon më tej Hajri Kashahu.

Përvç godinave në Pazar dhe shtëpisë në lagjen "Palorto", tokat bujqësore dhe kullotat vazhdojnë të mos u jenë kthyer pronarëve, ndërkohë që e pakthyer vazhdon të mbetet ish- shtëpia e djegur, mbi të cilën u ndërtua Shtëpia e Pritjes. Hajri Kashahu pohon se janë në proces gjyqësor në lidhje me rikthimin e sipërfaqeve bujqësore dhe atyre kullosore.

Kashahajt pas çlirimit

Viti 1945 e gati 5 dekadat në vazhdim do të sillnin një kalvar vuajtjesh e mjerimesh për familjen Kashahu. "Enver Hoxha ishte mjaft i afërt me familjen tonë, disa herë thoshte që jam rritur atje, duke qenë se shtëpitë në "Palorto" ishin shumë afër dhe ishte bashkëmoshatar me dy xhaxhallarët e mi.

Kur Hoxha shkoi me studime në Francë, ishte xhaxhai im Mufit Kashahu ai që e priti dhe e mbajti për disa vite me radhë. Por të gjitha këto jo vetëm që i harroi, po na i shpërbleu në mënyrën më të keqe të mundshme, me arrestime, pushkatime e vuajtje që nuk tregohen",- shprehet Hajri Kashahu.

Në muajin shtator të vitit 1946, djali i dytë i familjes Kashahu, Aqifi, njëkohësisht administrator i të gjitha pasurive arrestohet për një sërë akuzash, që fillonin nga përpjekjet për rrëzimin e pushtetit popullor, si një nga eksponentët që përpiqeshin të forconin Ballin Kombëtar në jug të vendit, sabotim, kontrabandë floriri etj.

Një vit e tre muaj më vonë, me 30 dhjetor të vitit 1947, Gjykata Ushtarake në Gjirokastër e cilëson Aqif Kashahun fajtor për të gjitha akuzat dhe e dënon me vdekje, me pushkatim. Sikur të mos mjaftonte dënimi me vdekje, edhe shpenzimet gjyqësore prej 108 lekësh i ngarkohen të dënuarit me pushkatim.

"Arrestimi i xhaxhait hapi një rrugë shumë të gjatë mundimesh dhe vuajtjesh. Menjëherë pas arrestimit të tij, në Tiranë u kryen edhe tri arrestime të tjera: nipi i tij Ëngjëll Emiri, 19 vjç, shofer i Nako Spiros, që pushkatohet pa gjyq, Fuat Kokalari (daja), njeri shumë i pasur, që dënohet me 14 vjet burg dhe vdes në burg, si dhe Muslim Çene, burri i hallës, inxhinier e arkitekt, diplomuar në Itali, dënohet me 25 vjet dhe vdes po në burg.

Të gjitha pronat, e tundshme dhe të patundshme të familjes u sekuestruan, duke filluar nga tokat, kullotat, bagëtitë, godinat në Pazar, si dhe shtëpia jonë në lagjen "Palorto". Xhaxhanë, Aqifin, e kanë torturuar në mënyrë çnjerëzore në hetuesi që të tregonte se ku kishte fshehur floririn e familjes, por ai nuk e tregoi asnjëherë.

Pas marrjes së vendimit për pushkatimin e tij, vendimi u dërgua për miratim në Gjykatën e Lartë Ushtarake, miratim që për habi u kthye brenda tetë orësh. Një bashkëvuajtësi i tij në qeli na ka treguar se para se të pushkatohej, xhaxhai kërkoi 2 minuta kohë, gjatë të cilave në murin e qelisë vizatoi një çizme, nën të cilën shkroi "Poshtë komunizmi" dhe të mos i lidheshin sytë kur ta pushkatonin.

Edhe pse kanë kaluar 63 vjet, ende nuk kemi arritur t'i gjejmë eshtrat e xhaxhait, pavarësisht se kemi kërkuar vazhdimisht këto 20 vitet e fundit dhe as të nipit të tij 19-vjçar, i cili u pushkatua pa gjyq.

Gjithë anëtarët e tjerë të familjes sonë që mbetën gjallë, tregoheshin me gisht si armiqtë e popullit, askush nuk u fliste më, u ndanë së gjalli me gjithë njerëzit e tyre të afërm. Nuk kishin të drejtën e shkollimit, ndërsa mund të punësoheshin vetëm në punë të rëndomta. Jetonim në mjerim.

Gjatë kontrollit që u bë në shtëpinë tonë, ku kishte gjëra me shumë vlerë, menjëherë pas arrestimit të xhaxhait, Aqifit, në një kuti gjetën një flamur francez, që ia kishin dhënë në universitet xhaxhait tim Mufitit, në shenjë nderimi, duke qenë se mbaroi studimet si një nga studentët më të shkëlqyer, me medalje ari.

Flamuri u përdor si mjet për të thënë se ishim armiq, ndërsa biblioteka shumë e pasur, me literaturë kryesisht turke, angleze e franceze u dogj e gjitha në oborrin e shtëpisë, ndërsa ishin mbledhur shumë njerëz që shihnin se çfarë mbanin në shtëpi "armiqtë", ndërsa të zellshmit për shkatërrim deklaronin se "këta armiq kërkojnë hedhjen e pushtetit popullor". Çuditërisht, edhe pse i shkaktoi kaq shumë dhembje familjes sonë, në dy vizitat që kreu në Gjirokastër, Enver Hoxha ka qëndruar para portës sonë.

Në vitin 1968 takoi gjyshen time, e cila i kërkoi të na kthenin shtëpinë, pasi në të banonin vetëm sekretarët e partive, ndërsa ne ishim në bodrum. I dha fjalën gjyshes se do na i kthenin, po në fakt na dhanë vetëm dy dhoma në katin e parë, ndërsa aty vazhdonin të jetonin sekretarët e partive. Ndërsa në vitin 1978 ka ardhur pasi shtëpia dhe e gjithë rruga është survejuar e përgjuar për më shumë se 3 muaj nga agjentët e Sigurimit të Shtetit.

Kam qenë 13 vjç atëherë dhe e mbaj mend mirë, ndaloi para portës sonë dhe pyeti nëse jetonte ende gjyshja, ndërsa për të tjerët që i vrau vetë nuk u kujtua.

Godinat në Pazar që u sekuestruan, u përdorën kryesisht si dyqane shërbimesh, ndërsa nuk u restauruan thuajse asnjëherë dhe na u kthyen në një gjendje shumë të keqe fizike",- rrëfen më tej Hajri Kashahu.

Ndërsa tregon historinë e hidhur të familjes, Hajriu shprehet se koha është gjykatësi më i mirë. "Enver Hoxha u trembej shumë familjeve të pasura gjirokastrite dhe njerëzve të njohur të tij, pasi e dinte që nuk mund të përballej me ta as nga ana intelektuale dhe as nga humanizmi.

Edhe pse e kanë mbajtur shumë afër, ai nuk e kurseu ndëshkimin ndaj tyre. Megjithatë për gjithçka që ka ndodhur, koha është gjykatësi më i mirë.

Pas gjithë kalvarit të vuajtjeve pa fund dhe mjerimit të dy brezave, përsëri këto familje nuk e kanë aspak ndjenjën e hakmarrjes, sepse njerëzit fisnikë asnjëherë nuk kërkojnë hakmarrje, ndërsa kohën e vlerësojnë si gjyqtaren më të mirë të të gjitha padrejtësive", shprehet Hajriu.

"Më 1946-n, vëllanë tim Aqifin e dënuan me vdekje për "veprimtari armiqësore. Shkoj te Enver Hoxha dhe folëm për faljen e tij, pasi im vëlla ishte krejtësisht i pafajshëm. Enveri pasi më dëgjon me vëmendje më thotë: "Mos u bëj merak, Aqifi do falet".

Pastaj ngrihet dhe kthehet me një pako në dorë, duke më thënë: "Këtë peshqesh jepja Haxhesë" (nënës). Atje kishte vënë një shami koke të zezë dhe dy palë çorape të zeza. Dhurata ishte një mesazh makabër për vrasjen e Aqifit. Pas dy ditësh, Aqifin e pushkatuan"
(Nga kujtimet e Mufit Kashahut, jurist, shok fëmijërie me Enver Hoxhën e pritësi i tij në Francë).

Krushqitë

Sikurse të gjitha familjet e vjetra dhe të pasura gjirokastrite, edhe Kashahajt krushqitë i bënin me familje të kamura e dyer të ngritura. Kokalarajt, Hoxhatët, Topullaraj, Karagjozatë janë disa prej fiseve të vjetra e të njohura, me të cilat familja Kashahaj ka bërë krushqi e ka pasur lidhje gjaku përgjatë shekujve.

Kashahajt sot

Tashmë nga trungu i familjes Kashahu janë shumë të paktë familjet e mbetura në Gjirokastër. Hajri Kashahu dhe dy vëllezërit e tij, Ardani e Mufiti, vazhdojnë të jetojnë ende në Gjirokastër, gjithashtu edhe një tjetër familje që mban të njëjtin mbiemër, por që janë kushërinj të largët.

Në Tiranë janë të vendosur kryesisht Kashahajt, ndërkohë që një pjesë e konsiderueshme, kryesisht e brezit të katërt janë të vendosur në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, por edhe në Itali.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›