E Shtunë, 31 Tetor 2026

"Vrasja e Policëve", pranon bashkëpunimin hetuesit

Hetuesit e Prokurorisë pohuan se pas seancës së fundit të pyetjes së të akuzuarve ka siguruar të dhënat e plota për ngjarjen

TIRANË- Prokuroria e Krimeve të Rënda në kryeqytet, merr në pyetje në ambientet e paraburgimit Enea Gegwn, si dhe dy shokët e tij Pajtim Serjanin e Shamet Mejdanin, të akuzuar për "vrasjen" e policëve të Patrullës së Përgjithshme të mbetur në tentativë natën e 29 dhjetorit 2009.

Për këtë ngjarje policia ka shpallur në kërkim ish- futbollistin Alban Rexha i vetëquajtur "ujku", një nga personazhet e njohura të programit reality shoë "Kafazi i Artë 5", transmetuar në "Neës 24" që dyshohet se ka qenë bashkëpunëtor në këtë krim.

Sipas prokurorisë, tre të arrestuarit kanë pranuar të flasin për ngjarjen e ndodhur natën e 29 dhjetorit mes tyre dhe Patrullës së Përgjithshme por kanë mohuar që kanë qëlluar në drejtim të policisë. "Nga dëshmitë e tre të arrestuarve mësohet, se dy prej tyre kanë pranuar se kanë qëlluar në ajër, por, jo në drejtim të policisë"- thuhet nga burimet pranë institucionit të akuzës.

Por sipas hetuesve ky pretendim i ngritur nga të arrestuarit bie në kundërshtim me kallëzimin e policisë dhe shkakun e arrestimit të Serjanit, Gegës dhe Mejdanit si dhe shpalljen në kërkim policor të Rexhës.

Mësohet se njëri prej tre të akuzuarve të arrestuar tashmë, ka pranuar të rrëfejë me detaje për hetuesit në lidhje me ngjarjen, duke dhënë emrin e "shokëve" që kanë qëlluar dhe arsyen se pse kanë qëlluar. Emri i "bashkëpunëtorit", nuk bëhet i ditur për shkaqe hetimore, pasi Pokuroria dhe Ministria e Brendshme po tentojnë ta përfshijnë atë në programin e bashkëpunimit me drejtësinë.

Sipas akuzës, ish-i fejuari i këngëtares Ingrid Gjoni, Enea Gega, si dhe Alban Rexha, Pajtim Serjani e Shamet Mejdani mbrëmjen e datës 29 dhjetor 2009, konkretisht rreth orës 21:00 kanë qenë duke udhëtuar me një makinë të tipit "Benz" me targa "BOT QA997".

Sapo lanë pas rrugën "Irfan Tomini" në kryeqytet, një Patrullë e Policisë i ka bërë shenjë të ndalojnë pasi dyshonin se personat mund të ishin të armatosur dhe ecnin me shpejtësi. Papritur efektivët e policisë janë vënë nën grykën e zjarrit të armëve që vinin nga vetura "Mercedez- Benz".

Pasi qëlluan drejt policëve, sipas kallëzimit, të dyshuarit u larguan duke braktisur pak metra më tej automjetin. Efektivët blu pasi iu shmangën plumbave të të dyshuarve, iu vunë pas, duke bllokuar veturën "Mercedes- Benz" me targa "BOT QA997", me të cilën udhëtonin të dyshuarit.

Në kontrollin e mjetit në të u sekuestruan disa aparate telefonikë, një armë automatike "Kallashnikov" e modelit 56, dy krehër dhe një armë pistoletë model 54 dhe disa gëzhoja. Pak minuta më vonë, policia mundi të identifikonte dhe arrestonte tre nga katër protagonistët e kësaj ngjarjejes.

I katërti u shpall në kërkim. Sipas prokurorisë, të dyshuarit po hetohen për kryerjen e veprës penale të "vrasjes në rrethana cilësuese" të mbetur në tentative në bashkëpunim; "armbajtjes pa leje" dhe "kundërshtim të forcave të policisë". Nëse të arrestuarit deklarohen fajtorë për këto vepra penale, rrezikojnë të dënohen nga 20 vjet deri në burgim të përjetshëm.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›