E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kasijas eshte numri 1

Përfundimi ishte ai që pritej. Iker Kasijas u shpall si portieri më i mirë në botë për vitin 2012, një shpërblim për 12 muajt e tij të shkëlqyer në portën e Realit të Madridit.
Zhoze Murinjo ndoshta mendon ndryshe, ndërsa e la në stol në ndeshjen e fundit të kampionatit spanjoll në Malaga, por Instituti Ndërkombëtar i Historisë dhe Statistikave të Futbolli (IFFHS) nuk lë vend për dyshime.
Ky ishte viti i pestë që Iker përfundon në vend të parë në botë, madje suksesi ishte i thellë. Spanjolli fitoi 224 pikë duke lënë 96 pikë prapa Xhanluixhi Bufonin që doli në vend të dytë.
Po ashtu, gardiani i portës së Realit, fitoi ndaj konkurrencës së Petr Çehut të Çelsit, Viktor Valdesit të Barcelonës dhe Xho Hartit të Mançester Sitit.
Viti 2012 ishte i shkëlqyer për Kasijasin pasi doli kampion i Spanjës me Realin e Madridit si dhe u shpall kampion i Europës me përfaqësuesen spanjolle në Euro 2012.
Ndërkaq, Ikerit i duhet të kalojë Bufonin me një pikë të vetme që të fitojë një tjetër klasifikim. Bëhet fjalë për renditjen e portierit më të mirë në botë për shekullin e 21-të, ku italiani kryeson me 218 pikë, ndaj 217 të spanjollit.
Ndoshta, Iker ia del në 2013.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›