E Enjte, 5 Nëntor 2026

Kaskada e HEC-eve të Drinit, vazhdon menaxhimi i kujdesshëm i rezervave ujore

Në basenin ujëmbledhës të HEC-it të Fierzës në qarkun e Kukësit vijojnë të grumbullohen sasi të konsiderueshme rezervash ujore. Pavarësisht rreshjeve të shumta dhe shkrirjes së dëborës, shkarkimet nga portat janë minimale, disa herë edhe zero. Prurjet natyrale ditën e enjte ishin mbi 2,6 milionë litra dhe shkarkimet nga portat ishin zero, njofton gazetari i RTSH Bardhi Sejdarasi. 
Gjatë muajit janar të këtij viti dhe në dhjetëditët e para të muajit shkurt nga ujëmbledhësi i Drinit dhe Bunës janë shkarkuar sasi të konsiderueshme rezervash ujore, edhe pse të kontrolluara sipas një rregulloreje rigoroze. Autoritetet që menaxhojnë kaskadën e HEC-eve të Drinit janë përpjekur të derdhin sasi të kontrolluara të ujit të tepërt, duke rritur ndërkohë edhe sasinë e prodhuar të energjisë elektrike për vendin. Prej ditësh raportohet që të gjithë konsumin e energjisë e përballojnë prodhuesit vendor, publikë apo privatë, duke i kursyer arkës së shtetit miliarda lekë të importit të energjisë elektrike. 
Por nuk mungojnë edhe humbje miliarda lekësh nga derdhja e rezervës ujore. Vetmë për 700 metër kub ujë të derdhur nga diga e Fierzës në ditë, kosto është jo më pak se 1,5 milionë euro.
Përmbytjet e zonës së nën Shkodrës janë rrjedhojë jo vetëm e hapjes së portave për të mbrojtur digat e kaskadës, por edhe e prurjeve natyrale brenda vendit, nga katër lumenj të tjerë që derdhen në këtë pellg ujor, apo edhe nga rreshjet e shumta në shtetin fqinj të Malit të Zi. Basenet e Fierzës dhe të Komanit kanë edhe 4 metra lartësi për të kapur kuotat maksimale të tyre, ndërsa Vau i Dejës, pak me shumë se 2 metra. Energjia e prodhuar është më shumë se 25 milionë kilovat në 24 orë.  

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›